PD: S’ka urdhër për bojkotim mitingu për UÇK
Partia Demokratike (PD) ka lëshuar një deklaratë duke theksuar se nuk ka dhënë asnjë urdhër, qoftë verbal apo me shkrim, për përfaqësues apo mbështetës të saj që të mos marrin pjesë në mitingun mbështetës për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët janë aktualisht në proces gjyqësor në Hagë.
Në njoftim thuhet se “spekulimi banal i ndonjë medieje se ky urdhër ekziston është pjesa e skenarit të përhershëm anti-opozitar te Ramaduros dhe Partia Demokratike e hedh poshtë si të tillë”.
Zyra e shtypit e PD nënvizon gjithashtu, duke iu referuar qëndrimeve të ditëve të fundit dhe atyre të përhershme të kryetarit të saj, Sali Berisha, se “kauza e UÇK, lufta e saj dhe e popullit shqiptar të Kosovës, janë jo vetëm të drejta, por edhe pjesë e nderit të përjetshëm të kombit dhe çështjes kombëtare shqiptare”.