ArkivaLajmenegativetrafik

Dënohen kontrabandistë shqiptarësh nga Belgjika në Angli

Trafikuan 5 shqiptarë nga Belgjika në Angli, burg për 2 shtetas britanikë

Dy persona janë dënuar për kontrabandimin në Britani të një grupi burrash shqiptarë me anë të një anijeje në Suffolk.

Karolis Laurinavicius, 40 vjeç, dhe Tomas Venclauskas, 41 vjeç, u shpallën fajtorë për ndihmë në imigracionin e paligjshëm.

Në Gjykatën e Kurorës në Ipswich u deklarua se dyshja drejtoi një varkë me motor nga Southampton në Belgjikë dhe mori 5 persona, para se të ktheheshin në Angli nëpërmjet Marinës Shotley, ku u kapën nga oficerët e Forcave Kufitare.

Gjyqtari Martyn Levett tha se do të shpallte më vonë masën e dënimit, duke shtuar se “Dënimet që do të jap do të kenë një element pengues”.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:25 të 15 prillit të këtij viti. Oficerja Madeline Klingsick tha se dy të pandehurit ishin në breg kur mbërriti ekipi i policisë, ndërsa një person i tretë, ende i paidentifikuar, u largua me vrap përpara se pesë personat të dilnin nga një kabinë.

Ajo shtoi se njëri nga pesë shqiptarët ishte 17 vjeç dhe se “disa, nëse jo të gjithë, u ishte refuzuar më parë hyrja në Mbretërinë e Bashkuar”.

Laurinavicius i tha gjykatës se nuk kishte dijeni për shqiptarët dhe se ai dhe Venclauskas nuk kishin ndërmend të udhëtonin për në Belgjikë. Ai u tha hetuesve se po “festonte” blerjen e varkës me një udhëtim për në Southampton. Sipas tij, teksa po lundronte për në Lincolnshire, po pinte birrë në bord dhe ra në gjumë. Venclauskas humbi rrugën, shpjegoi ai, dhe ata përfunduan duke u ankoruar në një marinë në Belgjikë.

Laurinavicius tha se ai dhe i pandehuri tjetër lundruan përsëri drejt Anglisë “të tronditur dhe të stresuar” pasi patën probleme me motorin, para se të zgjidhnin Shotley si një vend për t’u ndalur sepse ishte më afër.

Venclauskas, i cili kishte ardhur për herë të parë në Angli rreth dy dekada dhe e njeh Laurinavicius që nga fëmijëria, tha gjithashtu se ata nuk kishin planifikuar të shkonin në Belgjikë. Ai i tha gjykatës se nuk pa askënd tjetër të hipte në varkën e tyre në Belgjikë.

Pas vetëm 4 orësh shqyrtimi, juria dha një vendim unanim fajtor për të dy të pandehurit.