Kritikë për dobësimin e ligjit për barazi gjinore

Organizatat i kërkojnë Ramës të mos dobësojë ligjin për Barazi Gjinore

Një koalicion i gjerë organizatash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut i është drejtuar me një deklaratë publike kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe të gjithë deputetëve, duke shprehur “shqetësimin e thellë për përpjekjet e vazhdueshme për të dobësuar Projektligjin për Barazinë Gjinore”.

Deklarata vjen pas një debati publik të nxehtë, të mbushur me spekulime dhe pas paralajmërimit të Partisë Socialiste për të bërë amendime në projektligjin e propozuar fillimisht nga Ministria e Shëndetësisë.

“Çdo ndryshim që minon këto parime do të ishte një hap prapa për shoqërinë shqiptare. Çdo pengesë apo dobësim i ligjit me kërkesë nga grupe të caktuara nuk duhet të na shenjojë si shoqëri dhe është një kërcënim për përparimin e mundimshëm 30-vjeçar të grave shqiptare,” thuhet në deklaratë.

Projektligji i ri, i cili synon të harmonizojë legjislacionin shqiptar me standardet e BE-së dhe konventat ndërkombëtare, u bë objekt i një debati të ashpër publik dhe dezinformimi.

Drafti fillestar, i mbështetur nga organizatat, përditësonte terminologjinë ligjore duke përfshirë koncepte si “identiteti gjinor” dhe “shprehja gjinore”, përtej përcaktimit klasik binar “burrë e grua”. Kjo shkaktoi reagim nga grupe konservatore dhe fetare, të cilat pretendojnë se ligji po “krijonte gjini të reja” dhe po cenonte “familjen tradicionale”.

Organizatat nënshkruese i janë kundërpërgjigjur kësaj fushate dezinformimi duke vënë në dukje se projektligji forcon barazinë në punë, arsim e vendimmarrje, adreson stereotipet gjinore, dhe nuk krijon gjini të reja, as nuk ndryshon jetën familjare.

“Ne shprehim shqetësimin e veçantë për faktin se amendimet e propozuara nuk mund të jenë pjesë e një ligji që synon barazi dhe respekt të të drejtave të njeriut,” theksojnë organizatat.

Megjithatë, si pasojë e këtij debati publik me qëndrime edhe nga deputetë të opozitës, grupi parlamentar i Partisë Socialiste njoftoi depozitimin në Parlament të amendamenteve që, sipas propozimit, do të saktësonin terminologjinë, duke hequr terma të kontestuar si “diversiteti gjinor” dhe duke u rikthyer në një përkufizim që njeh vetëm dy gjini.

Por shoqëria civile i kërkon Kuvendit miratimin e ligjit pa ndryshimet që e cenojnë atë dhe kërkon një debat të hapur e transparent me ekspertë, si dhe një mbështetje publike të qartë të qeverisë ndaj të drejtave të njeriut si themel i integrimit europian.

Deklarata është nënshkruar nga një numër i madh organizatash, duke përfshirë:

  • Rrjetin e Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (Tiranë)
  • Qendrën Aleanca Gjinore për Zhvillim (Tiranë)
  • Qendrën për Nisma Ligjore Qytetare (Tiranë)
  • Agritra-Vizion (Peshkopi)
  • Gruaja tek Gruaja (Shkodër)
  • Qendrën psiko-sociale “Vatra” (Vlorë)
  • Linjën e Këshillimit për Gra dhe Vajza (Tiranë)
  • Forumin Gruas Elbasan (Elbasan)
  • Shoqatën “Jona” (Sarandë)
  • Shoqatën “Unë Gruaja” (Pogradec)
  • YËCA Albania (Tiranë)
  • Qendrën për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”
  • Qendrën për Advokim Social
  • AËA (Gruaja Shqiptare në Audiovizual)
  • Shoqatën e Grave “Refleksione”
  • Organizata Ura të Reja
  • Qendrën A.L.T.R.I. (Albanian Legal and Territorial Institute Research)
  • Institutin për Kontratën Sociale
  • Institutin për Zhvillim dhe Iniciativa Qytetare
  • Komitetin Shqiptar të Helsinkit
  • Nismën ARSIS
  • Qendrën për Zhvillim dhe Integrim Europian (CEDI)
  • Fondacionin Së bashku
  • Qendrën “Strehëza Edlira Haxhiymeri”
  • Aleancën LGBT
Scroll to Top