### Detaje të Reja nga Vrasja e Ramazan Matajt: Autori Mashtroi Viktimën duke Përdorur një Profil të Rremë
Janë zbuluar detaje të reja lidhur me vrasjen e shtetasit Ramazan Mataj, ngjarje e ndodhur në mbrëmjen e 5 janarit të këtij viti në Postribë të Shkodrës. Lidhur me këtë krim, janë arrestuar dy vëllezërit Arjon Hasaj, i cili dyshohet të jetë organizatori dhe ekzekutori, dhe Klisman Hasaj, si bashkëpunëtor.
Sipas dosjes së Prokurorisë, e cila i është dërguar Gjykatës së Shkodrës pas përfundimit të hetimeve, rezulton se një adresë në Instagram, përmes së cilës është kontaktuar viktima, i përkiste Arjon Hasajt. Ky i fundit ka pranuar vrasjen, duke rrëfyer se ai organizoi takimin me Matajn duke krijuar një profil mashtrues në Instagram dhe duke pretenduar se ishte femër.
Hasaj ka deklaruar se pagoi një vajzë rome për t’i dërguar dy mesazhe zanore viktimës, me qëllim që ta bindte atë se po komunikonte me një femër.
Motivi i vrasjes, sipas autorit, lidhet me tensionet familjare. Viktima akuzohej për marrëdhënie seksuale dhe shpërndarje të përmbajtjeve intime, si dhe për shkaktimin e dy divorceve të shtetases Armela Hasaj, për shkak të lidhjes së vjetër që Mataj mbante me motrën e autorit. Arjoni ka deklaruar se 2-3 netë para vrasjes, duke parë Instagramin e motrës së tij, me të cilën nuk komunikonte prej tre vitesh, kishte parë një video të saj pranë një makine që ai e kishte dalluar se i përkiste Ramazan Matajt. Kjo pamje e ka rënduar psikologjikisht edhe më shumë.
Autori ka shpjeguar se, pasi kishin lënë takimin në një natë me shi, sapo viktima u afrua me makinë, ai e qëlloi 18-19 herë me një pushkë 20-she. Më pas u largua në shtëpi me biçikletë dhe fshehu armën pas shtëpisë. Ai ka deklaruar se askush nuk ka pasur dijeni për vrasjen dhe nuk e ka ndihmuar askush. Hasaj shpreh pendesë për krimin, por thekson se ka qenë i rënduar psikologjikisht.
Gjatë qëndrimit në ambientet e policisë, nga një përgjim i bërë në komisariat, dy të pandehurit diskutojnë për vrasjen, duke u dakorduar fillimisht të mos e pranojnë, nëse policia nuk ka prova. Megjithatë, pas sekuestrimit të armës së krimit, 16 gëzhojave të gjetura në vendngjarje dhe një municioni luftarak, Arjon Hasaj pranoi autorësinë e vrasjes. Ai u arrestua në Muriqan, duke tentuar të kalonte në Mal të Zi, menjëherë pas kryerjes së krimit.
Motra e të arrestuarve, Armela Hasaj, ka deklaruar se që nga viti 2018 kishte një lidhje me Ramazan Matajn. Ajo ka treguar se ai e ka kanosur shpeshherë, për të cilën ka bërë edhe kallëzim, por viktima nuk e ka pranuar kanosjen ndaj saj. Ajo ka marrë disa herë urdhër mbrojtje nga gjykata për këtë rast. “E kisha bllokuar, por më shkruante me adresa fallco dhe shpërndante foto dhe video të mia. Gjatë gjithë kohës kam qenë e përndjekur nga Ramazani,” deklaroi ajo.
Babai i viktimës, Fatmir Mataj, ka deklaruar se i biri i kishte thënë se do të takonte një vajzë nga fshati Drisht me të cilën kishte qëllime serioze. Mesazhet dhe telefonatat e babait në celular gjatë natës nuk morën përgjigje, derisa në mëngjes mësoi për vrasjen e të birit përmes mediave.
Babai i dy të arrestuarve, Rrustem Hasaj, u shpreh se nuk ka pasur dijeni as për vrasjen, as për numrin me të cilin është hapur adresa e Instagramit nga djali i tij Arjon Hasaj, dhe as për armët që u gjetën në oborrin e shtëpisë.
Dy kushërinj të viktimës, gjatë bisedave në rrjete sociale, e kishin këshilluar atë të sigurohej me kë po fliste, duke ngritur dyshimet e tyre për ndonjë adresë fallco. Megjithatë, Ramazan Mataj ishte bindur se po komunikonte me një vajzë nga Drishti dhe doli në takimin që i mori jetën.
Një banor afër vendit ku ndodhi vrasja deklaroi se ka dëgjuar krismat, por nuk u ka vënë rëndësi, pasi i janë dukur të lehta.
Prokuroria thekson në dosje se ka prova materiale (armë, municione, gëzhoja) të cilat janë sekuestruar dhe çështja do vijojë në gjykatë. Hetimet dhe deklarimet e familjarëve dhe dëshmitarëve të tjerë do të mbeten pjesë e procesit gjyqësor.