Trump njofton shkatërrimin e një nëndetëseje të ngarkuar me drogë: “Do të vdisnin 25,000 amerikanë”
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë të ditur se një nëndetëse që transportonte lëndë narkotike është shkatërruar. Në një postim në “Instagram”, ku ndau edhe pamje nga operacioni, Trump theksoi se nëndetësja po sillte drogë drejt Shteteve të Bashkuara përmes një rruge tranziti të njohur për trafikim droge.
Ai shtoi se gjatë operacionit humbën jetën dy nga personat përfshirë, ndërsa dy të tjerët, që mbijetuan, po ktheheshin në vendet e tyre të origjinës për t’u përballur me drejtësinë.
“Inteligjenca amerikane konfirmoi se kjo anije ishte e ngarkuar kryesisht me Fentanyl dhe narkotikë të tjerë të paligjshëm. Në bordin e anijes ndodheshin katër trafikantë të njohur droge. Dy nga ta u vranë. Të paktën 25,000 amerikanë do të vdisnin nëse do ta lejoja këtë nëndetëse të arrinte në breg,” shkroi Trump.
“Dy trafikantët e mbijetuar po kthehen në vendet e tyre të origjinës, Ekuador dhe Kolumbi, për t’u arrestuar dhe ndjekur penalisht. Asnjë forcë amerikane nuk u lëndua gjatë këtij operacioni. Nën mbikëqyrjen time, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të tolerojnë narkoterroristët që trafikojnë drogë të paligjshme, nga toka apo nga deti. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!” përfundoi ai.