Grabitje në Luvër: Muzeu i mbyllur pas vjedhjes së bizhuterive

Muzeu i Luvrit në Paris u mbyll pas një grabitjeje spektakolare që zgjati vetëm shtatë minuta.

Muzeu i famshëm i Luvrit në Paris u detyrua të mbyllej këtë të dielë, pas një grabitjeje të ndodhur në orët e mëngjesit. Sipas medias franceze, tre persona të maskuar kanë depërtuar me forcë në muze dhe, duke përdorur një ashensor mallrash, kanë arritur në Galerinë Apollo. Raportohet se hajdutët dispononin sharra të vegjël elektrikë dhe pas grabitjes së nëntë objekteve me vlerë, janë larguar me motorr, duke u zhdukur në drejtim të panjohur.

Mediat franceze bëjnë të ditur se gjatë këtij sulmi, i cili zgjati shtatë minuta, u grabit një koleksion bizhuterish të Napoleonit dhe Perandoreshës.

Ministrja e Kulturës e Francës, Rachida Dati, njoftoi se nuk raportohet për të lënduar gjatë grabitjes dhe se policia po kryen hetime në vendngjarje.

Drejtuesit e muzeut të Luvrit njoftuan nëpërmjet rrjeteve sociale se institucioni, i cili pritej të mirëpresë mijëra vizitorë sot, do të qëndrojë i mbyllur për pjesën tjetër të ditës për “arsye të jashtëzakonshme”.

Scroll to Top