Francë: Macron priti ish-presidentin Sarkozy në Pallatin Presidencial para se ky i fundit të burgosej
Emmanuel Macron ka konfirmuar se e kishte ftuar paraardhësin e tij, Nicolas Sarkozy, në pallatin presidencial disa ditë para se Sarkozy të bëhej ish-kreu i parë i shtetit në historinë moderne franceze që u dënua me burgim. Takimi u zhvillua të premten e kaluar, raportoi Le Figaro.
“Ishte normale, në një nivel personal, të prisja një nga paraardhësit e mi në këtë kontekst”, u tha Macron gazetarëve gjatë një udhëtimi në Slloveni. Ai theksoi se vizita nuk kishte për qëllim të cenonte pavarësinë e gjyqësorit francez.
Sarkozy, gjatë fundjavës, deklaroi se do të fillonte të vuante dënimin e tij të martën në burgun Santé. Nuk është bërë e ditur se sa gjatë do të qëndrojë i burgosur. Ai tha se me vete do të marrë librin “Konti i Monte Kristos” të Alexandre Dumas, heroit që arrin të arratiset nga burgu pasi është burgosur padrejtësisht, dhe një biografi të Krishtit.
Ish-presidenti u dënua në shtator me pesë vjet burgim për lejimin e bashkëpunëtorëve të tij të përpiqeshin të siguronin mbështetje financiare nga regjimi i Muamar Gadafit në Libi, në këmbim të favorsh ekonomike dhe diplomatike. Kjo ndodhi pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2007, të cilat ai i fitoi.
Ai është kreu i parë i shtetit francez që burgoset që nga Philippe Petain, i cili ishte një bashkëpunëtor famëkeq me nazistët gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore.
