Problemet e Drejtësisë në Shqipëri: Greka, Ndërmjetësimi dhe Reforma

Ministri i Drejtësisë: Gjykatat nuk informojnë palët për zgjidhjen me ndërmjetësim

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, gjatë fjalës së tij në Konferencën për 30-vjetorin e partneritetit të Shqipërisë me Këshillin e Evropës dhe Komisionin e Venecias, theksoi se vendi ynë ka një sistem drejtësie të konsoliduar mbi themelet e pavarësisë dhe integritetit. Ai përmendi krijimin e gjykatave dhe prokurorisë së posaçme, si fryt të reformës, të cilat për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar të pavarur, kanë mundësuar hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e individëve me pushtet.

Më tej, Ministri Lamallari paraqiti dy probleme serioze që vijnë nga sistemi penitenciar dhe ai gjyqësor:

  • Rreth 60% e 4576 shtetasve të burgosur në vend janë ende në pritje të një vendimi gjykate. Qëndrimi në paraburgim për një kohë më të gjatë se sa parashikohet nga një vendim i formës së prerë, për shumë prej tyre, përbën një padrejtësi të madhe për ta dhe familjet e tyre.
  • Duke u përballur me sfidat e vakancave të krijuara nga zbatimi i vettingut dhe rritjes së çështjeve të pazgjidhura, ligji parashikon ndërmjetësimin si një veprimtari jashtëgjyqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, veçanërisht në çështje civile, familjare, pune, apo edhe kur përfshihen interesa të të miturve apo marrëdhënie bashkëshortore. Megjithatë, vitin e kaluar, vetëm një Gjykatë rrethi në nivel Republike ka udhëzuar dhe informuar palët mbi mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve përmes ndërmjetësimit. Nga 1500 raste të regjistruara vullnetarisht ose përmes shërbimit për ndihmë juridike falas në Ministrinë e Drejtësisë, kjo shifër përbën më pak se 2% të çështjeve që mund të ishin kanalizuar për zgjidhje përmes metodave alternative. Metodat tradicionale të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve janë shpesh të tejzgjatura, me kosto për qytetarët dhe ndikojnë negativisht te besimi i tyre te institucionet e drejtësisë.

Ministri Lamallari theksoi se shkalla e suksesit të trajtimit dhe zgjidhjes së çështjeve nga ndërmjetësit e licencuar arrin në 85-90%. Ai gjithashtu përmendi potencialin e jashtëzakonshëm, por pak ose aspak të eksploruar, të arbitrazhit, pajtimit, negociimit, metodave hibride dhe përdorimit të teknologjisë për zgjidhjen e një kategorie mosmarrëveshjesh.

Në përfundim, Ministri i Drejtësisë deklaroi se shteti i së drejtës nuk është një destinacion, por një proces i vazhdueshëm që kërkon përkushtim të përhershëm. Sfida kryesore është konsolidimi i Reformës në Drejtësi, sigurimi i funksionimit efikas të institucioneve të reja, rritja e transparencës dhe forcimi i integritetit në çdo nivel të administratës dhe sistemit të drejtësisë.

Scroll to Top