Zëvendëspresidenti amerikan mbërrin në Izrael për të monitoruar armëpushimin në Gaza
Zëvendëspresidenti amerikan, J.D. Vance, ka mbërritur në Izrael për një vizitë dy-ditore, me qëllim forcimin e armëpushimit në Gaza. Sipas mediave të huaja, Vance pritet të vizitojë selinë e forcës së sapoformuar, e cila mbështetet nga SHBA-ja. Kjo vizitë synon monitorimin e zbatimit të armëpushimit në Gaza, i cili hyri në fuqi pak javë më parë, nën udhëheqjen e presidentit amerikan Donald Trump.
Nesër, ai do të zhvillojë takime me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentin Isaac Herzog në Jerusalem.
Vizita e Vance bën pjesë të përpjekjeve për të promovuar dhe forcuar armëpushimin, pasi zyrtarët në Uashington shprehin shqetësim se kryeministri Netanyahu mund të tentojë të sabotojë marrëveshjen dhe të rifillojë luftimet me Hamasin.
Një zyrtar i lartë në Zyrën e Kryeministrit izraelit përshkroi si “shumë të mirë” takimin mes Netanyahut dhe ndihmësve të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner. “Bëhej fjalë për çështje për të cilat ata ranë dakord që nga fillimi,” tha zyrtari. “Nuk kishte mosmarrëveshje dhe gjithçka ishte vërtet e qartë mes dy palëve,” shtoi ai.
