tensione te Keshilli i Larte i Prokurorise, Stojani kundra Bogdanit

Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, nuk ka paqe mes Stojanit dhe Bogdanit

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) vijon të përballet me tensione të brendshme. Gjatë mbledhjes së zhvilluar të enjten, procedura për plotësimin e vendit vakant të drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës u kthye në pikë qendrore debati mes anëtarit të Këshillit, Sokol Stojani, dhe kryetares së KLP-së, Mirela Bogdani.

Megjithëse Komisioni i Karrierës, ku anëtarë janë Stojani (në rolin e relatorit), Bogdani dhe Ledina Riza, kishte përgatitur tre relacione të ndryshme për t’u paraqitur Këshillit, çështja e plotësimit të vendit vakant ishte rikthyer për diskutim në rendin e ditës.

Zoti Stojani akuzoi znj. Bogdani se kishte tejkaluar kompetencat e saj duke vendosur këtë pikë në rendin e ditës, pasi sipas tij, projekt-aktet duhet të dorëzohen pranë Këshillit nga komisionet dhe relatorët. “Ju duhet të mbani përgjegjësi para Këshillit se keni shkelur ligjin,” theksoi Stojani, duke përmendur edhe raste të tjera ku sipas tij, znj. Bogdani kishte pasur të njëjtin qëndrim. Ai shtoi se roli i kryetares së Këshillit është vetëm koordinues dhe për sigurimin e korumit të mbledhjes.

Gjatë zhvillimit të mbledhjes, regjistrimi audio u ndërpre disa herë, ndërkohë që Stojani kërkoi të mos ndërpritej.

I kontaktuar nga BIRN, Stojani sqaroi se Prokuroritë e Sarandës dhe Kukësit ishin pa drejtues dhe se ishte emergjente caktimi i tyre. Ai theksoi se Komisioni kishte sjellë në Këshill tre versione të ndryshme dhe se çështja duhet të ecë përpara. “Nuk mund të them se do fitojë alternativa ime, por ta avancojmë. Nuk mund ta mbajmë pafund,” tha ai.

Në diskutime u përfshinë edhe anëtarët e tjerë, Zeqir Hoda dhe Ledina Riza. Stojani i kujtoi Rizës se ajo kishte nënshkruar vetë relacionin për shqyrtim dhe votim. Zoti Hoda kërkoi nga Stojani të paraqiste një propozim konkret, duke shtuar se “Për refleksione nuk është momenti. Kushdo që ka qëndrim të bëjë propozim.” Stojani kërkoi heqjen e pikës nga rendi i ditës, ndërsa Hoda propozoi vijimin e diskutimit.

Kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, u shpreh për BIRN se kishte vlerësuar t’i linte vend diskutimeve mes anëtarëve prokurorë, pasi ata janë direkt të përfshirë në avancimet në karrierë të magjistratëve. “Pas tyre diskutojmë ne që jemi anëtarë joprokurorë dhe kryetari flet në fund të të gjithëve,” tha ajo.

Bogdani sqaroi gjithashtu se, duke pasur qëndrime të ndryshme në Komision, ajo kishte vlerësuar që çështja të merrte gjykimin e Këshillit në mënyrë që “të shterojmë diskutimet dhe të veprojmë në përputhje me ligjin”. Ajo theksoi se, bazuar në ligj dhe praktikën e mëparshme, drejtuesi nuk mund të caktohet pa qenë më parë në atë zyrë, duke e cilësuar alternativën e propozuar nga Stojani si në kundërshtim me ligjin dhe praktikën e KLP-së.

Nga ana tjetër, Stojani sqaroi se prokurorët e Prokurorisë së Sarandës dhe Kukësit kanë pak vite eksperiencë dhe për pasojë nuk plotësojnë kushtet ligjore për t’u caktuar drejtues. Ai shtoi se është e vështirë që prokurorët e prokurorive të mëdha të pranojnë të transferohen si prokurorë të thjeshtë në prokurori të vogla dhe të largëta. Stojani rikujtoi gjithashtu raste kur Këshilli ka vendosur të caktojë përkohësisht si drejtues prokurorë nga jashtë prokurorive përkatëse, për shkak të nevojës emergjente. Ai nënvizoi se problemi kryesor që ngriti ishte procedura e ndjekur, duke sjellë zvarritje në kalimin e çështjes për votim.

Pas diskutimeve dhe debateve mes anëtarëve, nuk u arrit një vendimarrje konkrete për pikën në fjalë të rendit të ditës.

Ndërkohë, Këshilli miratoi, ndër të tjera, caktimet e përkohshme të drejtuesve të prokurorive Durrës dhe Vlorë, si dhe rregulloren “Për caktimin e prokurorëve si magjistratë udhëheqës në programin e praktikës profesionale dhe për vlerësimin etik dhe profesional cilësor të kandidatëve për magjistratë”.

Scroll to Top