Raporti i OSBE-ODIHR për datën 11 maj, Lubonja: Tregon problematikën e “partisë-shtet”
Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, komentoi raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke theksuar se problemi kryesor i procesit zgjedhor në vend lidhet me dominimin e një “partie-shtet” që kontrollon institucionet dhe përdor mekanizmat e pushtetit për avantazh elektoral.
Sipas Lubonjës, raporti i ODIHR evidenton disa shqetësime thelbësore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në barazinë e garës:
- Përdorimi i administratës
- Presioni ndaj administratës
- Përdorimi i fondeve publike
- Faljet e gjobave
- Bashkëpunimi me krimin e organizuar
“Këto faktorë ndryshojnë balancën në zgjedhje,” tha ai.
Analisti u shpreh se problemi kryesor nuk qëndron te Kodi Zgjedhor, por te mënyra si pushteti politik e përdor sistemin në favor të vet. “Problemi sot nuk është Kodi Zgjedhor. Edhe këtë herë, Rama kishte avantazh me kodin zgjedhor, pasi hoqi koalicionet. Gjithsesi, po ja veshim kodin të dy partive të mëdha,” shtoi ai.
Duke folur për rolin e partive politike, Lubonja theksoi se përgjegjësia për deformimin e garës nuk ndahet në mënyrë të barabartë midis forcave kryesore. “Për t’i rënë shkurt, unë anoj më shumë nga zgjedhje që kontrollohen nga një parti-shtet, dhe manipulimi vjen nga kjo parti që kontrollon të gjitha institucionet. Ka një parti shtet që ka një rezultat me 83 deputetë, ndërkohë që është në mandatin e katërt – këtu është problemi,” theksoi ai.
Sipas tij, Partia Socialiste mban përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale politike, ndërsa raporti i OSBE/ODIHR, megjithëse e prek këtë çështje, “nuk e pasqyron në shkallën reale të problematikës”.
