Starmer: Ballkani, vendi ku vendoset siguria e kontinentit
Kryeministri britanik Keir Starmer e cilëson Ballkanin Perëndimor si një pikë kyçe për sigurinë e gjithë kontinentit evropian. Deklarata vjen në ditën e Samitit të Procesit të Berlinit, ku Britania e Madhe njoftoi sanksione kundër bandave trafikante me bazë në Ballkan.
Britania e Madhe sivjet është vendi mikpritës i Samitit të Procesit të Berlinit, ku janë ftuar liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën.
Gjatë hapjes së bisedimeve me udhëheqësit ballkanikë në Londër, të cilat u fokusuan kryesisht te sfida e migracionit, kryeministri britanik Keir Starmer e përshkroi Ballkanin Perëndimor si “pika kritike” e Evropës. Ai shtoi se rajoni, përveçse është “udhëkryqi i Evropës”, është gjithashtu vendi ku “siguria e kontinentit tonë vihet në provë”.
Në Samitin e Ballkanit ishin të pranishëm edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, kancelari austriak Christian Stocker, ministrat e Jashtëm të Francës, Greqisë dhe Italisë, si dhe e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas nga Komisioni Evropian.
Starmer theksoi se bisedimet e këtij viti u përqendruan tek siguria, migracioni dhe rritja ekonomike. Liderët ballkanikë diskutuan gjithashtu mënyrat për të trajtuar “ndikimin keqdashës” të Rusisë, luftën kundër korrupsionit dhe çështjet e përbashkëta të migracionit.
Sanksione kundër bandave nga Ballkani
Britania e Madhe njoftoi sanksione kundër bandave dhe financuesve me bazë në Ballkan, të cilët ndihmojnë në trafikimin e migrantëve duke përdorur anije të vogla, pasi numri i mbërritjeve ilegale përmes Kanalit të La Manshës pritet të tejkalojë rekordin e vitit 2024.
Këto sanksione vijnë në një kohë kur kryeministri Keir Starmer po përballet me presion të brendshëm për të ulur hyrjet e paligjshme në MB. Ato u bënë publike ndërsa Starmer priste udhëheqësit evropianë në samitin e Ballkanit Perëndimor.
Ministria e Jashtme britanike detajoi se masat e reja godasin rrjetin Krasniqi dhe krerët e tij, të cilët u përshkruan si “një grup i krimit të organizuar me bazë në Kosovë, përgjegjës për prodhimin dhe furnizimin e dokumenteve të falsifikuara për bandat kriminale”. Gjithashtu u sanksionua Nusret Seferoviçi, udhëheqës i dyshuar i një bande kroate që furnizonte bandat ballkanike me pasaporta të falsifikuara kroate për të lehtësuar hyrjen në vendet evropiane.
Lufta në Ukrainë përshpejtoi proceset integruese
Mbretëria e Bashkuar po kërkon gjithashtu marrëveshje për masa shtesë për të ulur numrin e migrantëve që mbërrijnë ilegalisht në vend. Britania është në bisedime me disa vende për të ngritur qendra pritëse, ku azilkërkuesit e refuzuar mund të dërgohen para se të dëbohen.
Para samitit, Kosova shprehu gatishmëri për të pritur qendra të tilla migrantësh. Kryeministri i Shqipërisë përsëriti refuzimin e tij, ndërsa homologu i Malit të Zi duket se sugjeroi se vendi i tij nuk po planifikonte të pranonte, por mund të ndikohej nga investimet në infrastrukturën hekurudhore.
Samiti mbahet si pjesë e Procesit të Berlinit, i nisur në vitin 2014 për të nxitur integrimin dhe shpresën e vendeve të Ballkanit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Megjithatë, Kroacia është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që iu bashkua BE-së në më shumë se një dekadë, në vitin 2013. Progresi i integrimit për vendet e tjera ka ngecur për vite me radhë.
Që nga agresioni rus kundër Ukrainës në vitin 2022, BE-ja ka gjallëruar procesin e integrimit me Ballkanin Perëndimor dhe është hapur më tej për të pranuar anëtarë të rinj, si Ukraina. Ka shqetësime të konsiderueshme në BE se lufta në Ukrainë dhe konfrontimi në thellim i Rusisë me Perëndimin mund të përhapen në një rajon që ende vuan nga konfliktet.
