Numri i viktimave nga shirat e dendur në Meksikë shkon në 78
Autoritetet meksikane përditësuan të mërkurën numrin e viktimave nga shirat dhe përmbytjet shkatërruese të fillimit të muajit në 78, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimin për personat e zhdukur.
Reshjet dhe përmbytjet kanë prekur pesë shtete anembanë vendit, duke shkaktuar ndërprerje të shërbimeve, linjave të komunikimit dhe autostradave, si dhe duke lënë mijëra të zhvendosur, të vdekur dhe të zhdukur.
Dy javë pas stuhisë, qeveria meksikane vijon të raportojë viktima të reja dhe njofton një investim prej miliona dollarësh për rindërtimin e komuniteteve më të prekura dhe për mbështetjen e familjeve të dëmtuara.
Reshjet e rrebeluara të datës 7-11 tetor kanë goditur veçanërisht Veracruzin, shtet bregdetar në Gjirin e Meksikës, si dhe shtetet Hidalgo, Puebla, San Luis Potosi dhe Queretaro. Veracruzi ka pësuar dëmet më të mëdha nga stuhitë dhe përmbytjet.
Deri më 11 tetor, qeveria federale kishte regjistruar 36 viktima, por numri i të vdekurve është rritur që atëherë, ndërsa operacionet e kërkimit për gjetjen e trupave vazhdojnë.
Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, njoftoi sot se dy persona të raportuar si të zhdukur më parë, janë gjetur të vdekur, ndërsa 23 të tjerë mbeten ende të zhdukur.
Në një konferencë për shtyp, Sheinbaum theksoi se po ndahen burime për t’iu përgjigjur emergjencës. Përveç 580 milionë dollarëve të destinuar për rindërtimin e komuniteteve më të prekura, qeveria federale do të ofrojë ndihmë të drejtpërdrejtë për viktimat, duke përfshirë:
- Deri në 1,150 dollarë për familje.
- 2,900 dollarë për bizneset lokale.
- Deri në 5,800 dollarë për rimëkëmbjen bujqësore.
- 29,000 dollarë për rindërtimin e klinikave.
