Gaza: Emergjencë mjeko-ligjore dhe mungesë kushtesh

“Ajo që po ndodh në Gaza është një emergjencë ndërkombëtare”

Mjekët në Gaza përballen me vështirësi të mëdha në kryerjen e autopsive ndaj trupave të pengjeve të liruar nga Izraeli, për shkak të mungesës së kushteve dhe pajisjeve të nevojshme.

Në një dhomë të improvizuar në spitalin Nasser të Gazës, pa laboratorë për analiza ADN-je apo pajisje ftohëse për ruajtjen e trupave, ekipi i mjekësisë ligjore po punon për të identifikuar dhe ekzaminuar trupat e kthyer nga Izraeli pas marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan Donald Trump. Autoritetet lokale raportojnë se gjatë 11 ditëve të fundit, 195 trupa janë kthyer në Gaza në këmbim të 13 pengjeve izraelite.

Fotografitë e publikuara nga autoritetet mjekësore tregojnë trupa në gjendje të avancuar dekompozimi, shumë prej tyre me duart e lidhura pas shpine, sy të mbuluar dhe shenja të qarta dhune.

Dr. Ahmed Dheir, drejtues i njësisë mjeko-ligjore në spitalin Nasser, shpjegon se mungesa e pajisjeve e bën thuajse të pamundur kryerjen e autopsive të plota. “Trupat mbërrijnë të ngrirë dhe kur përpiqemi t’i shkrijmë, procesi i dekompozimit fillon menjëherë. Në këto kushte, mund të dokumentojmë vetëm gjendjen e tyre pa mundur të përcaktojmë shkakun e saktë të vdekjes”, tha ai.

Një tjetër mjek nga ekipi, Dr. Alaa al-Astal, raporton se shumë trupa mbërrijnë me shenja të forta torture, duke përfshirë mavijosje, shenja presioni në kyçe dhe lëndime të qafës. “Pati raste ku qarkullimi i gjakut ishte ndërprerë për shkak të shtrëngimit të lidhëseve. Disa trupa kishin brazda të thella rreth syve dhe qafës,” shtoi ai.

Sameh Yassin Hamad, përfaqësues i komitetit për marrjen e trupave, deklaroi se disa prej viktimave kishin plagë thike dhe shenja rrahjeje të rënda.

Ekspertë të pavarur mjeko-ligjorë, përfshirë profesorin kanadez Michael Pollanen, kanë shprehur shqetësim duke theksuar se imazhet e trupave ngrenë “pyetje serioze” lidhur me trajtimin e tyre. Megjithatë, ata theksojnë se pa kryerjen e autopsive të plota, është e pamundur të përcaktohet me siguri nëse bëhet fjalë për torturë apo abuzim pas vdekjes. “Ajo që po ndodh në Gaza është një emergjencë ndërkombëtare mjeko-ligjore”, theksoi Pollanen.

Ushtria izraelite, e pyetur për këto pretendime, ka deklaruar se “vepron në përputhje me ligjin ndërkombëtar”. Ndërkohë, mjekët në Gaza insistojnë se pozicioni i lidhjes së trupave dhe shenjat fizike sugjerojnë se disa prej tyre kanë vdekur ndërsa ishin të lidhur, gjë që sipas tyre, përbën një shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar humanitar.

Scroll to Top