Analizë: Pse mijëra kompani iraniane janë regjistruar në Gjeorgji?
Rreth 13.000 kompani iraniane janë regjistruar në Gjeorgji, duke u fokusuar në disa adresa, gjë që ka ngritur shqetësime se Teherani po e shfrytëzon shtetin e Kaukazit Jugor për të shmangur sanksionet ndërkombëtare. Bizneset iraniane të regjistruara në Gjeorgji veprojnë në sektorë të ndryshëm, duke filluar nga ndërtimi dhe logjistika, deri te mikpritja dhe klubet e natës, sipas të dhënave publike të analizuara nga Shërbimi gjeorgjian i Radios Evropa e Lirë (REL).
Numri i kompanive iraniane të regjistruara në Gjeorgji është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, periudhë që përkon me vendosjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Republikës Islamike për programin e saj bërthamor. Këto masa kufizojnë individët, kompanitë dhe qeveritë e huaja, duke ua ndaluar dërgimin apo marrjen e fondeve nga Irani. Shkelësit mund të përballen me dënime financiare dhe ndjekje penale.
Në korrik, organizata joqeveritare gjeorgjiane Civic IDEA publikoi një hulumtim ku akuzoi partinë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, se ka lejuar bizneset iraniane – disa të lidhura me forcat e armatosura të Iranit – të përdorin Gjeorgjinë si “një pikë strategjike transiti” për të shmangur sanksionet ndërkombëtare dhe për të dërguar para në Teheran. Autoritetet gjeorgjiane nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për koment.
Tregtia, sanksionet dhe Gjeorgjia
Deri në qershor të këtij viti, mbi 12.800 biznese iraniane ishin të regjistruara në Gjeorgji, sipas të dhënave publike. Pothuajse të gjitha këto biznese janë plotësisht në pronësi iraniane. Numri i saktë i kompanive iraniane që operojnë aktualisht në Gjeorgji nuk është i qartë.
Kompanitë iraniane filluan të jenë aktive në Gjeorgji rreth vitit 2009. Midis viteve 2012 dhe 2019, pati një rritje të regjistrimeve të kompanive iraniane në Gjeorgji, e cila përkoi me zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Teheranit. Gjatë asaj periudhe, raportimet mediatike kishin lidhur disa kompani amerikane me Gardën Revolucionare Islamike – një degë e fuqishme e forcave të armatosura iraniane me rol të rëndësishëm në ekonomi dhe e sanksionuar nga SHBA-ja – duke sugjeruar se këto biznese i ofronin Teheranit qasje të drejtpërdrejtë në tregjet perëndimore.
Gjeorgjia shtrëngoi rregullat bankare për iranianët dhe pezulloi përkohësisht udhëtimet pa viza. Megjithatë, investimet iraniane në Gjeorgji rinisën pas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 mes Teheranit dhe fuqive botërore, veçanërisht në sektorët e pasurive të paluajtshme, transportit dhe ndërtimit. Vendimi i Uashingtonit për të rivendosur sanksionet e ashpra ndaj Teheranit më 2018 pati pak ndikim për të dekurajuar investimet iraniane në Gjeorgji.
Investimet iraniane kanë përkuar me rritjen e tregtisë midis Tbilisit dhe Teheranit. Mes viteve 2022 dhe 2024, tregtia dypalëshe u rrit me 23 për qind. Importet nga Irani arritën rreth 30 milionë dollarë në vitin 2024, kryesisht në produkte bujqësore dhe ushqimore. Në disa sektorë, Irani ka një pjesë të konsiderueshme të furnizimeve të brendshme të Gjeorgjisë, duke zotëruar 13% të importeve të gjalpit, 45% të rrushit të thatë dhe 85% të hurmave.
Vlera e importeve iraniane të naftës dhe produkteve të saj pothuajse u trefishua nga 683.000 dollarë në vitin 2020 në rreth 2 milionë dollarë në vitin 2024. Kjo ndodhi pavarësisht paralajmërimit të presidentit amerikan Donald Trump në maj se çdo shtet që tregtonte naftë iraniane do të përballej me sanksione dytësore.
Në ueb-faqet tregtare iraniane, bizneset inkurajohen hapur të regjistrojnë kompani në Gjeorgji, veçanërisht pranë porteve, për të ulur kostot dhe për të riorientuar eksportet. Disa madje përshkruajnë strategji për të ribrenduar mallrat iraniane si “Made in Georgia” para se t’i dërgojnë drejt tregjeve perëndimore.
Adresa të dyshimta
Mijëra biznese iraniane në Gjeorgji janë regjistruar vetëm në disa adresa, përfshirë kryeqytetin Tbilisi, por edhe në disa fshatra të largëta, sipas të dhënave zyrtare. Rreth 700 kompani iraniane janë regjistruar në një ndërtesë të vetme banimi në Tbilisi, pa asnjë shenjë aktiviteti aty. Aktivitetet e deklaruara të këtyre bizneseve variojnë nga logjistika dhe turizmi, deri te bizhuteritë, blegtoria dhe teknologjia e informacionit. Megjithatë, nuk ka asnjë dëshmi fizike që mund të vërtetojë ekzistencën e tyre.
Një model i ngjashëm vërehet edhe në Dunta, një fshat i largët me rreth 100 banorë në perëndim të Gjeorgjisë. Në këtë fshat, janë regjistruar rreth 800 biznese iraniane. Shumica e këtyre kompanive janë të përfshira në transportimin e mallrave, disa prej të cilave marrin leje për transport ndërkombëtar nga autoritetet, sipas të dhënave publike.
Ndërkohë, mbi 800 kompani iraniane janë regjistruar në Untsa, një fshat me rreth 300 banorë në jugperëndim të Gjeorgjisë. Sipas të dhënave publike, adresat në këtë fshat janë përdorur edhe nga migrantë rusë që synojnë të përfitojnë nga politikat fiskale të favorshme të Gjeorgjisë.
Kompanitë iraniane kanë arritur të lidhin kontrata edhe me shtetin gjeorgjian. Qafrina LLC, e regjistruar në vitin 2018 dhe në pronësi të shtetasit iranian Farzad Nouri, i ka shitur sisteme CCTV Bankës Kombëtare të Gjeorgjisë, gjykatave në qytetin Kutaisi dhe Bashkisë së Tbilisit, sipas të dhënave për tenderë.
Një tjetër kompani në pronësi iraniane, Geo Tech, ka furnizuar produkte higjienike, duke përfshirë letra higjienike, Ministrinë e Mbrojtjes, Hekurudhat e Gjeorgjisë, kompaninë e transportit të Tbilisit dhe disa institucione publike.
