55% e shqiptarëve përballen me vështirësi për të dalë në fund të muajit
Sipas një ankete, rreth 55% e shqiptarëve deklarojnë se e kanë “shumë të vështirë” ose “me vështirësi” të përballojnë fundin e muajit. Ky tregues është dukshëm më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, ku vetëm 17.4% e qytetarëve europianë ndihen të varfër.
Në rajon, situata paraqitet gjithashtu e ndryshme: 34% e serbëve, gjysma e malazezëve dhe gati gjysma e maqedonasve raportojnë të jenë të varfër.
Eurostat mat gjithashtu varfërinë subjektive, një fushë e re studimi e krijuar për të plotësuar treguesit tradicionalë të varfërisë, siç janë rreziku i varfërisë, mungesa materiale dhe sociale, apo jetesa në familje me papunësi të lartë. Varfëria subjektive fokusohet te perceptimi personal i individëve mbi aftësinë e tyre për të përballuar shpenzimet e përditshme, duke u dalluar nga varfëria relative që matet bazuar në të ardhura.
Anketa mbështetet në pyetjen: “Sa të lehtë e keni të përballoni fundin e muajit?”. Përgjigjet janë të ndara në gjashtë kategori: Me shumë vështirësi; Me vështirësi; Disi vështirësi; Mjaft lehtë; Lehtë; Shumë lehtë. Sipas përkufizimit të Eurostat-it, personat që zgjedhin “me shumë vështirësi” ose “me vështirësi” konsiderohen pjesë e varfërisë subjektive.
Shqipëria renditet e dyta në Europë përsa i përket varfërisë subjektive. Më keq paraqiten vetëm grekët, ku 67% e tyre perceptojnë se janë të varfër, duke mbajtur kështu rekordin në kontinent.
Shqipëria shfaq një diferencë të konsiderueshme midis nivelit të varfërisë monetare, që sipas matjeve zyrtare është rreth 20% në vitin 2024, dhe perceptimit të banorëve për varfërinë, i cili tejkalon 50%. Kjo diferencë arrin mbi 30 pikë përqindje.
INSTAT raportoi më herët se në vitin 2024, treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri ishte 19.2%, duke shënuar një rënie prej 0.6 pikë përqindje krahasuar me vitin 2023. Kufiri i rrezikut për varfëri për një person në vitin 2024 u vlerësua në 324,336 lekë, ndërsa në vitin 2023 ishte 262,325 lekë.
Perceptimi i varfërisë nga shqiptarët është më afër treguesit të varfërisë dhe përjashtimit social, ku përfshihen 40.5% e popullsisë, sipas të dhënave të fundit të INSTAT. Ky tregues përfshin individë që plotësojnë të paktën një nga këto kritere:
- Janë në rrezik varfërie monetare (të ardhurat janë më të ulëta se 60% e mesatares kombëtare).
- Përballen me mungesa materiale ose sociale të rënda (nuk mund të paguajnë shpenzime bazë si ngrohja, faturat, ushqimi, rrobat, apo të sigurojnë pushime).
- Jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët pune (të rriturit punojnë pak ose aspak).
Situata në Europë
Në Bashkimin Europian, një në gjashtë qytetarë percepton veten si të varfër, edhe nëse nuk është i tillë sipas treguesve zyrtarë të të ardhurave. Për vitin 2024, të dhënat e Eurostat tregojnë se 17.4% e popullsisë së BE-së raporton se e përballon jetesën “me vështirësi” ose “me shumë vështirësi”, duke u klasifikuar në varfëri subjektive.
Ndër vendet anëtare të BE-së:
- Greqia ka përqindjen më të lartë të personave që konsiderohen subjektivisht të varfër (66.8%).
- Bullgaria renditet e dyta (37.4%).
- Sllovakia e treta (28.7%).
Niveli më i ulët i varfërisë subjektive u regjistrua në Holandë dhe Gjermani (të dyja me 7.3%), si dhe në Luksemburg (8.5%).
Italianët ndihen të varfër në masën 17.8%, spanjollët dhe francezët në 22%. Në nivel europian, gratë (17.8%) ndihen më të prekura nga vështirësitë financiare sesa burrat (17.0%). Varfëria subjektive është më e lartë te të rinjtë nën 18 vjeç (20.6%) dhe më e ulët te personat mbi 65 vjeç (14.9%).
Eurostat thekson se varfëria subjektive është një masë plotësuese ndaj asaj “objektive”, pasi përfshin jo vetëm të ardhurat, por edhe ndjenjën e pasigurisë që lind nga çmimet, borxhet dhe standardet e jetesës.
Në 16 vende të BE-së, përqindja e personave që ndihen të varfër është më e madhe se ajo e personave që rrezikojnë realisht varfërinë sipas të ardhurave.
