Samiti i BE-së: Kancelari Merz bën thirrje për më pak burokraci dhe një kthesë të vërtetë kulturore
Gjatë samitit të Bashkimit Evropian (BE) të zhvilluar në Bruksel më 23 tetor, Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, i bëri thirrje Komisionit të BE-së të veprojë vendosmërisht në uljen e burokracisë.
“Ne na duhet në BE një kthesë e vërtetë kulturore”, theksoi Kancelari Merz. Ai vlerësoi faktin që Komisioni ka vendosur disa objektiva, por shtoi se ata duhet të zbatohen në praktikë.
Sipas planeve, Komisioni ka marrë përsipër të ulë burokracinë, duke gjeneruar një vlerë prej gati 40 miliardë eurosh. Megjithatë, Merz kritikoi se deri më tani janë realizuar vetëm rreth 9 miliardë euro dhe janë zbatuar masa për vetëm 1.5 miliardë euro. Ai përfundoi duke theksuar se “ka ende shumë për të bërë” dhe se arritjet aktuale nuk janë të mjaftueshme.
Nevojiten reforma – Propozime nga Draghi dhe Letta
Për të arritur objektivin e uljes së burokracisë, është e nevojshme të reduktohet realisht barra burokratike, të thjeshtësohet e drejta e BE-së në të gjithë sektorët, si dhe Komisioni dhe Parlamenti Europian të jenë më të përmbajtur me propozimet për rregulla të reja.
Kancelari Merz kërkoi gjithashtu që Parlamenti Europian të tërheqë vendimin për të mos thjeshtëzuar direktivën për zinxhirin europian të furnizimeve.
Në kuadër të samitit, u vendos që më 12 shkurt 2026 të zhvillohet një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit Europian, e cila do t’i kushtohet ekskluzivisht aftësisë konkurruese të industrisë europiane. Në këtë takim do të jenë të ftuar edhe Mario Draghi dhe Enrico Letta, të cilët kanë parashtruar dy propozime udhërrëfyese për reformat e nevojshme për realizimin e plotë të tregut të brendshëm të BE-së.
