Të dënuar për kultivim droge, dy të arrestuar në Vlorë
Janë arrestuar dy persona të dënuar për kultivim të bimëve narkotike, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Personat e arrestuar janë Aldo Tushaj, 38 vjeç, dhe Sefer Dukaj, 45 vjeç, të dy banues në Vlorë.
NJOFTIMI I POLICISË
DVP Vlorë, në kuadër të kontrolleve të pandërprera për kapjen e personave në kërkim, ka ndaluar dy shtetas të dënuar për kultivim të bimëve narkotike, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të Hetimit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasve:
- Aldo Tushaj, 38 vjeç, banues në Vlorë;
- Sefer Dukaj, 45 vjeç, banues në Vlorë.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 01.10.2024, të lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit me vendimin e datës 20.10.2025, i ka dënuar për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Konkretisht, shtetasi Aldo Tushaj është dënuar me 3 vite e 11 muaj e 18 ditë burgim, ndërsa shtetasi Sefer Dukaj me 2 vite e 7 muaj e 18 ditë burgim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
