Kulla 200 mln € Tiranë: Tabaku kërkon hetime për pastrim parash

Tabaku-Çelës: Kompani me bilanc zero ndërtojnë kulla me vlerë 200 mln euro në Tiranë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë një deklarate mbi ndërtimet në Tiranë, solli në vëmendje rastet e kompanive që marrin leje për ndërtimin e kulla, por që rezultojnë me bilanc zero.

Tabaku i bëri thirrje kryeprokurorit Olsjan Çela për një analizë më të thellë të situatës së ndërtimeve në kryeqytet. Ajo theksoi se, krizën kryesore që po përballet aktualisht ekonomia shqiptare e ka origjinën te pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit.

Sipas saj, në Tiranë janë lëshuar leje për rreth 1.9 milionë metra katrorë ndërtim, një shifër kjo e papërballueshme për sistemin bankar dhe për kompanitë.

Duke cituar raportin e SPAK, Tabaku vuri në dukje se grupet kriminale po përdorin sektorin e ndërtimit për pastrimin e parave. Ajo shtoi se sot ka kompani që marrin leje për kulla me vlerë 200 milionë euro, ndërkohë që bilanci i tyre është zero.

“Të konstatojmë vetëm rastet e tilla nuk është e mjaftueshme,” theksoi Tabaku, duke shtuar se pastrimi i parave ka ulur vlerën e euros.

Deputetja sqaroi se pyetja e saj drejtuar kryeprokurorit ishte e sinqertë, nëse mund të krijohet një qark i mbyllur informacioni për të kuptuar burimin e parave të investuara në Tiranë. Ajo shprehu bindjen se nuk mori një përgjigje të plotë për këtë çështje.

“Sot kriza që ka ekonomia shqiptare është pastrimi i parave që ka në ndërtim,” përfundoi Tabaku.

Scroll to Top