Dumani i dërgon mesazh të fortë Ben Ahmetajt nga Kuvendi: Ej, bëhu bashkëpunëtor i drejtësisë
Kreu i SPAK, Altin Dumani, iu përgjigj pyetjeve të deputetes së PD, Jorida Tabaku, në Parlament, gjatë raportimit të tij para ligjvënësve.
“Lidhur me inceneratorët, kemi Elbasanin, Fierin dhe Tiranën. SPAK ka hetuar në kuadër të këtyre procedimeve penale 71 persona të të gjitha niveleve. Disa janë në nivele penale të formës së prerë, disa në hetim, disa në gjykim, dhe po hetohet për fakte të tjera për këtë veprimtari kriminale. Lidhur me inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit, këto procedime kanë kaluar të gjitha fazat e shqyrtimit gjyqësor dhe kanë gjetur të drejtë kualifikimin ligjor të bërë nga SPAK.”
“Lidhur me pyetjen që nuk është marrë ende i pandehur Veliaj, dua të them se hetimet paraprake nuk kanë përfunduar ende dhe vijojnë akoma për inceneratorin e Tiranës.”
“Lidhur me dëshminë e Ahmetajt, deklarimet publike të tij vlerësohen rast pas rasti. Për ne sot ai është person në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale. Në çdo moment që një subjekt dëshiron të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, është mëse i mirëpritur”, u shpreh ai.
