Aeroporti i Vlorës/ Ahmetaj: Formula është gabim, vjedhje për 10 vite
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, gjatë një lidhjeje direkte në emisionin “Çim Peka Live” në Syri TV, duke u pyetur për Aeroportin e Vlorës, u shpreh se formula është gabim pasi shteti nuk mund të ketë 100% në një Partneritet Publik-Privat (PPP).
Ahmetaj deklaroi se aty po ndodh një vjedhje pasi kontrata është për 10 vite dhe shtoi se ka shumë detaje të rëndësishme.
“Nuk kam punë me bizneset, kam punë me pronarët faktikë të aeroportit të Vlorës. Formula është gabim, shteti nuk mund të marrë 100% në një PPP. Çfarë nevoje ke të ndërtosh një “Milano 2” në Vlorë? Propozimi im dhe i Damian Gjiknurit ka qenë një aeroport rajonal. Kjo është vjedhje për 10 vite, ka shumë detaje, djalli fshihet në detaje”, – tha Ahmetaj.
Duke u ndalur te çështja e inceneratorëve, ish-ministri deklaroi se nuk pendohet që i kundërshtoi, por pendohet vetëm për dashurinë që kishte ndaj Ramës.
“Çfarë nuk i bënë familjes sime, e kanë shkatërruar. Nuk pendohem pse kam kundërshtuar inceneratorët. Pendohem pse kam pasur dashuri gati vëllazërore ndaj një njeriu që ka thikë në dorë për njerëzit rreth e rrotull”, – deklaroi Ahmetaj.
Gjatë intervistës telefonike, ish-zv/kryeministri në ekzil deklaroi se është i bindur se e kanë dashur të varur dhe të vdekur, prandaj deshën që të shkonte në burg.
“Nuk kam më dyshim që më kanë dashur të varur dhe të vdekur. Mua rastësia më bëri që të mos futem në burg”, – deklaroi Ahmetaj.
