Tmerr në Finlandë/ 27-vjeçari akuzohet për abuzim seksual online ndaj 361 fëmijëve
Një rast tronditës i abuzimit seksual të të miturve po shqyrtohet nga drejtësia në Finlandë. Një 27-vjeçar është akuzuar për vepra të ndryshme seksuale ndaj 361 fëmijëve, të cilët dyshohet se i kishte kontaktuar përmes platformave online.
Sipas mediave finlandeze, viktimat janë djem të moshave 9 deri në 15 vjeç, të cilët jetonin në zona të ndryshme të vendit. I pandehuri dyshohet se i kontaktonte përmes rrjeteve sociale, përfshirë Snapchat, dhe i manipulonte për t’i dërguar materiale me përmbajtje seksuale.
Çështja po shqyrtohet nga Gjykata Rajonale e Pirkanmaa-s. Seanca e parë u zhvillua publikisht, ndërsa procedurat e mëtejshme pritet të zhvillohen me dyer të mbyllura për shkak të natyrës së çështjes dhe mbrojtjes së viktimave të mitura.
Rasti doli në dritë pasi policia, gjatë hetimit të një çështjeje tjetër penale në vitin 2022, ekzaminoi telefonin celular të 27-vjeçarit. Në pajisjen e tij u gjetën mijëra fotografi dhe video të fëmijëve, një pjesë e të cilave nuk ishte bërë e mundur të identifikoheshin.
Fillimisht, policia e kishte hetuar 27-vjeçarin për dyshimin e 364 veprave penale seksuale ndaj fëmijëve. Tre prej rasteve nuk u ndoqën penalisht nga prokuroria, duke e çuar në 361 numrin e veprave për të cilat ai përballet me akuzat.
Sipas autoriteteve, ai përdorte kryesisht komunikimin online për t’u afruar me fëmijët dhe për t’i bindur ata të dërgonin materiale të papërshtatshme. Prokuroria e akuzon për vepra që përfshijnë abuzim seksual të rënduar të fëmijëve, abuzim seksual të fëmijëve dhe shpërndarje të rënduar të materialeve që paraqesin të mitur në mënyrë seksuale.
Gjatë hetimit, 27-vjeçari ka pranuar pjesërisht veprimet për të cilat akuzohet.
