Aeroporti Vlorës: Probleme, vonesa dhe impakt negativ në turizëm

Aeroporti i Vlorës: Agjencitë e huaja zvogëlojnë kontratat, planet nordike pezullohen

Aeroporti i Vlorës, një investim që pritej të ngriste turizmin në Jugun e Shqipërisë, duket se nuk do të jetë funksional të paktën për vitin e ardhshëm. Një konflikt, fillimisht mes aksionerëve të koncesionit dhe më pas mes shtetit dhe aksionerit kryesor, ka sjellë pasoja të menjëhershme. Agjencitë e huaja, në rastin më të mirë, kanë ulur numrin e kontratave, ndërsa në rastin më të keq, kanë pezulluar negociatat.

Zoti Kasa shpjegon se vonesa në fillimin e operimit të aeroportit ka ndikuar drejtpërdrejt në kontratat e lidhura për Vlorën. “Agjencitë e huaja kanë reduktuar numrin e kontratave me rreth 60%, pasi e kanë të vështirë ta promovojnë si destinacion,” thekson ai. Kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me distancën dhe kohën e transferimit nga Tirana. “Pa filluar funksionimin e tij, shifrat do të mbeten modeste. Arsyeja kryesore është se transferta nga Tirana zgjat shumë dhe turistët nuk duan të kalojnë orë të tëra në rrugë,” shton ai.

Edhe zoti Kotherja ka pasur marrëveshje për sjelljen e turistëve të organizuar nga tregjet nordike përmes këtij aeroporti, por planet janë pezulluar. “Agjencitë e huaja, sidomos nga tregjet nordike dhe angleze, ishin të gatshme të sillnin fluturime charter këtë vit, por tani gjithçka ka mbetur pezull,” shprehet ai. Operatorët nuk i kanë mbyllur përfundimisht diskutimet, por presin fillimin real të operimit të aeroportit. “Na kanë thënë se në momentin që hapet aeroporti, t’i njoftojmë dhe të rinisim negociatat,” sqaron zoti Kotherja.

Ai vlerëson se vonesat kanë dëmtuar besimin e partnerëve të huaj. “Ne përpiqemi të ruajmë marrëdhëniet dhe t’u japim arsye objektive, duke shpjeguar qartë problemet, por imazhi është dëmtuar. Ka një lloj zbehjeje të besimit,” tregon ai.

Sipas zotit Kotherja, kjo çështje lidhet edhe me investimet e mëdha që po zhvillohen në Jug dhe me nevojën e strukturave të reja për të siguruar flukse turistike. “Duhet të kuptojmë se presioni më i madh është tek investitorët, sepse në Jug po investohen miliarda euro.”

Për sa kohë që aeroporti nuk operon, turizmi i organizuar drejt Vlorës dhe zonës së Jugut mbetet më i varur nga Tirana dhe nga transfertat tokësore. Të dy përfaqësuesit e industrisë e shohin nisjen e fluturimeve si një kusht thelbësor për zgjerimin e kontratave me operatorët e huaj.

Scroll to Top