Afati Taksat Vendore Tiranë: Penalizime pas 20 Prillit

Taksat Vendore: Sot afati i fundit për pagesën e taksës së ndërtesës, pasuar nga penalizime

Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore të Bashkisë së Tiranës ka njoftuar bizneset se sot, 20 Prilli, është dita e fundit për pagesën e këstit të parë të taksës së pasurisë së paluajtshme, ku paguhet 50% e vlerës. Në të kundërt, pas këtij afati, bizneset do të penalizohen me kamatëvonesa dhe gjoba.

Afatet për pagesën e detyrimit të taksës së ndërtesës për pronat me qëllim tregtar nuk kanë ndryshuar. Kështu, brenda datës 20 Prill duhet të paguhet 50% e vlerës, ndërsa brenda datës 30 Qershor është afati për pagimin e 50% të vlerës së mbetur të detyrimit.

Sa i përket tarifave dhe taksave të tjera që prekin bizneset, afati për pagesën nuk është 20 Prilli, por 31 Maji.

Këto ndryshime u miratuan në korrik 2025, me vendim të Këshillit Bashkiak.

Më herët, Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore kishte informuar se në muajin shkurt fillon procesi i përllogaritjes së detyrimeve vendore për çdo biznes dhe për pronarët që përdorin pronat e tyre për qëllime tregtare, përfshirë këtu taksën e ndërtesës dhe tarifat vendore përkatëse.

Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore u kërkoi bizneseve dhe pronarëve të pronave tregtare që, para rillogaritjes së detyrimeve, të përditësojnë të dhënat e tyre në rast se gjatë vitit 2025 kanë pasur ndryshime, siç janë:

  • xhiron vjetore,
  • vendndodhjen e biznesit,
  • apo sipërfaqen e pronës së përdorur për qëllime tregtare.

Kjo procedurë ofroi mundësinë për përditësimin e të dhënave në rast të ndryshimeve, duke garantuar saktësi në llogaritjen e detyrimeve.

Procedura për vetëdeklarimin e të dhënave të përditësuara mbeti e njëjtë, përmes formularit të vetëdeklarimit. Ky formular tashmë është dërguar pranë taksapaguesve në profilin e tyre në portalin e-Albania, te rubrika “Dokumentat e mia”. Plotësimi i këtij formulari mundëson përditësimin e të dhënave reale, me qëllim shmangien e pasaktësive në llogaritjen e detyrimeve vendore.

Scroll to Top