AfD-ja vijon ngjitjen, CDU refuzon bashkëpunimin

AfD-ja vijon ngjitjen në sondazhe në Gjermani, Auron Dodi shpjegon situatën politike: CDU dhe Merz refuzojnë çdo zbutje të vijave të kuqe në lidhje me partinë ekstreme.

Në Gjermani, anëtarë të partisë në pushtet, CDU-së konservatore, kanë hapur diskutimin nëse duhet të zbutet qëndrimi i prerë ndaj partisë pjesërisht ekstremiste të djathtë AfD, e cila vazhdon ngjitjen në sondazhet kombëtare. Gazetari i Deutsche Welle, Auron Dodi, në një lidhje me News24, tregoi më shumë në lidhje me situatën politike në vend.

Auron Dodi shpjegoi se bëhet fjalë kryesisht për disa deklarata publike të anëtarëve të njohur të CDU-së dhe politikanëve rajonalë, të cilët përballen në këshilla bashkiakë me AfD-në. Ai përmendi si shembuj ish-Sekretarin e Përgjithshëm të CDU-së, Peter Tauber, i cili kërkoi t’i jepet fund politikës së izolimit të AfD-së dhe të reflektohet për një politikë të re të vijës së kuqe. Në nivel rajonal, një kryetare e sapozgjedhur bashkie në landin lindor të Brandenburgut, në Bad Freienwalde, deklaroi se nuk mund ta injorojë faktin se 48% e zgjedhësve votuan për kandidatin e AfD-së, duke shtuar se për këtë arsye ajo vetë mezi i fitoi zgjedhjet dhe se është e nevojshme të kërkohet dialog me AfD-në në nivelin e këshillit të qytetit. Ish-kryetari rajonal i CDU-së në landin e Tyringenit, Mike Mohring, i tha revistës Politico se qytetarët duan që qeveritë të përfaqësojnë shumicën e votuesve dhe se vendimi i papajtueshmërisë me AfD-në ka qenë i mirë për vetëafirmimin e CDU-së, por larg realitetit, veçanërisht në lindje.

Lidhur me reagimin e CDU-së si parti dhe të kancelarit Friedrich Merz ndaj kërkesës për rishqyrtimin e vijave të kuqe në lidhje me AfD-në, Auron Dodi sqaroi se CDU-ja dhe Friedrich Merz refuzojnë çdo zbutje të vijave të kuqe. Në një mbledhje të kryesisë së partisë, organit më të lartë, të dielën (19.10.), Merzi e bëri të qartë se nuk do të ketë bashkëpunim me AfD-në. Të hënën ai e quajti AfD-në sërish “kundërshtarin kryesor”. Kryesia e CDU-së vendosi të mos ketë asnjë zbutje të strategjisë së distancimit, asnjë afrim, asnjë bashkëpunim, madje asnjë qeveri minoriteti të toleruar nga AfD-ja në zgjedhjet e ardhshme në lande. Vendimi i papajtueshmërisë me AfD-në dhe me partinë E Majta, i vitit 2018, mbetet në fuqi pa ndryshim. Megjithatë, strategjia do të përshtatet. U tha se CDU-ja duhet të paraqesë zgjidhje, të distancohet nga retorika apokaliptike e AfD-së dhe të bëhet një “burim inkurajimi”. Kjo, në fakt, është një proces. Me fjalë të tjera, mbledhja e kryesisë së CDU-së rikujtoi se ruajtja e vlerave demokratike kërkon më shumë sesa thjesht demarkacion; kërkon bindje aktive të qytetarëve.

Edhe qëndrimi i socialdemokratëve ndaj AfD-së mbetet i prerë. Kryeministri socialdemokrat i landit të Brandenburgut, Dietmar Woidke, tha se për të rënë muri mbrojtës, AfD-ja duhet të flakë jashtë të gjithë ekstremistët, të gjithë neonazistët dhe të tjerët që përçmojnë këtë shtet.

Duke iu përgjigjur pyetjes se si shpjegohen zërat që mbështesin zbutjen e qëndrimit ndaj AfD-së, Auron Dodi tha se AfD po fiton terren në sondazhe, duke arritur rreth 25% në sondazhet kombëtare dhe duke qenë në garë me CDU/CSU. Ai shtoi se kordoni sanitar apo “muri mbrojtës” që nga viti 2018 për mosbashkëpunim me AfD-në, nuk e ka dobësuar atë. Në zgjedhjet komunale në landin e madh, Renania Veriore-Vestfalia, AfD-ja i trefishoi votat që kishte. Në nivel lokal, në Paderborn, të qeverisur nga CDU-ja për tetë dekada rresht, kandidati për kryetar bashkie u desh të shkonte në balotazh për herë të parë, pasi humbi vota ndaj AfD-së. Kandidati i AfD-së mori 15% dhe trefishoi rezultatin e vitit 2020. Një strategji e kandidatit të AfD-së atje ishte paraqitja e AfD-së si CDU-ja tradicionale. Ai u tha medieve se ata që votuan për CDU-në, tani përballen me politikë të gjelbër dhe të kuqe. Diferencimi politik funksionon kur shoqërohet me alternativa bindëse.

Lidhur me perceptimin aktual të popullit për situatën e përgjithshme në Gjermani dhe atmosferën, Auron Dodi citoi një psikolog të njohur, Stephan Grünewald, i cili ka folur për një ndjenjë pafuqie në rritje te shumë njerëz. Ai tha se muri mbrojtës ndaj AfD-së, nga shumë vetë perceptohet si “digë”: sipas tij, njerëzit kanë ndjesinë se në anën tjetër të murit mbrojtës (pra atje ku është AfD-ja), ka njerëz që dinë t’ia dalin mbanë më mirë. Një sondazh interesant i fundit evidenton më tej një burim ku vazhdojnë të ushqehen pikëpamjet anti-establishment: sondazhi i Institutit Forsa (i porositur nga Universiteti Hohenheim i Shtutgartit) tregon se 17% e gjermanëve vazhdojnë të kenë një botëkuptim populist të djathtë, që është e barabartë me 14 milionë vetë. Një e katërta e të anketuarve të sondazhit reprezentativ besojnë se politika kontrollohet nga “fuqi të fshehta” dhe më shumë se 20% janë të bindur se media i gënjen “me sistem” popullin. Njerëzit me botëkuptim populist, sipas politologut Frank Brettschneider, e vlerësojnë cilësinë e jetës në rajonin e tyre si dukshëm më të keqe, janë më pak optimistë për të ardhmen dhe shpesh besojnë se gjërat dikur ishin më mirë. Kjo është problematike, duke pasur parasysh se rreziku më i madh për një demokraci nuk janë kërcënimet e jashtme, por një humbje e besimit te qytetarët e saj.

Nëse vlerësohet në përgjithësi në popull puna e qeverisë Merz, Auron Dodi tha se kancelari Merz ka forcuar besimin dhe krenarinë për Gjermaninë te shumë njerëz, me rolin e tij aktiv në politikën e jashtme. Por në Gjermani ka ende njerëz që janë skeptikë. Presioni po rritet edhe për shkak të zgjedhjeve të ardhshme rajonale, në pesë lande federale. Migrimi dhe ekonomia janë temat për të cilat e zgjodhën CDU/CSU. Dhe ekonomia gjermane vazhdon stanjacionin më të gjatë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ka padurim dhe pakënaqësi për reformat që është zotuar të ndërmarrë qeveria, siç e shprehu për shembull presidenti i Shoqatës së Prodhuesve të Makinerive, Bertram Kawlath, në samitin e 16 shtatorit: “Ne ndodhemi në një pikë kthese. Nëse qendra demokratike nuk ofron rezultate, përfitojnë skajet politike. Hezitimi i politikës për reformat ka një çmim të lartë”. Ai tha se numri i falimentimeve dhe humbja e vendeve të punës po rriten. Kawlath-i kërkoi ulje të taksave, më pak burokraci dhe lehtësim të dhënies së lejeve. Merzi ka premtuar si përgjigje “një vjeshtë të reformave”. Ai ka dhënë si shpjegim edhe kufizimet që sjell një koalicion qeveritar me socialdemokratët (SPD). “Nuk jam vetëm në këtë qeveri,” tha ai së fundi. Me një shumicë prej vetëm 13 vendesh të koalicionit qeveritar në Bundestag, çdo debat brenda koalicionit nxit pasiguri nëse do të zbatohen plotësisht reformat e premtuara apo vetëm pjesë të tyre.

Scroll to Top