Agroturizmi Gjepali: Zgjerim, Investime & Të Ardhme

Interesi po rritet, po zgjerohemi për të dhënë një ndikim më të lartë tek ekonomia lokale

Flet Fundim Gjepali, Agroturizëm “Gjepali”

Rikthimi në një agroturizëm të përball gjithmonë me diçka të re. Fundim Gjepali nga Agroturizëm “Gjepali” së fundmi po shton një laborator për paketimin e produkteve të zonës në bashkëpunim me 10 fermerë, ndërkohë që para verës shton se do të investojë në një pishinë. Sipas tij, të gjitha këto janë reflektim i kërkesave që bëjnë vizitorët. Reflektimi për të ofruar atë që kërkohet, sipas tij, garanton që klienti të ndihet i dëgjuar dhe shërbimi të përmirësohet, duke garantuar kështu një rritje të qëndrueshme edhe në vijim.

Si ka qenë viti për agroturizmin tuaj këtë vit dhe për sektorin në përgjithësi?

Ka qenë një vit shumë i mirë. Stabil në përgjithësi me një rritje të vogël në raport me vitin paraardhës, por për ne ky është një tregues shumë i mirë për tendencën dhe ne këtë synojmë që të kemi qëndrueshmëri. U duk sikur në maj-qershor pati një rënie, por pastaj gradualisht u rikthye në ritmin normal. Gusht-shtatori kanë pasur ecuri shumë të mirë, tetori pak i vakët prej motit me shi, ndërsa nëntori të qëndrueshme.

Cilat janë grupet që bien më shumë në sy nga ata që vijnë ju vizitojnë?

Nga viti në vit, tendenca është për më shumë larmishmëri në kombësi. Në atë rritje që ne flasim kanë kontribut si të huajt, edhe vendasit. Ajo që vë re tani është për një rritje të vizitorëve cilësorë, në kuptimin e asaj që duan shërbim të mirë dhe paguajnë për të. Pra, janë klientë që pretendojnë shumë dhe janë të gatshëm të paguajnë për atë që kërkojnë.

Kostot e ushqimit kanë pasur rritje të vazhdueshme dhe mendoj se po shkojmë drejt një ekuilibri të ri. Ne nuk kemi ndryshuar çmimet prej tre vitesh, por kjo po bëhet gjithmonë e më e vështirë. Parashikoj që do të vijojë të ketë rritje të kostove dhe mendoj se kjo do të ndalet disi kur të shkojmë në standardet e Bashkimit Europian. Vetëm ajo do të mund ta ndalë hemorragjinë e emigrimit për të cilën flasim prej vitesh. Çmimet dhe kostot e menaxhimit janë të pashmangshme që të vijojnë të rriten dhe të shkojnë drejt atij niveli.

Po bëhet gjithmonë e më e vështirë për agroturizmet që të sigurojnë zinxhirin e furnizimit nga produktet lokale në disa rajone, sepse bujqësia dhe blegtoria po braktiset. Në rajonin ku operoni, sa të vështirë e keni sigurimin e produkteve që ju duhen, përveç atyre që prodhoni vetë?

Zona ku ne jemi të vendosur, në Shijak, nuk shfaq të tilla probleme sepse bujqësia dhe blegtoria mbeten aktive. Ne, përveçse kemi prodhimet tona, kemi lidhur kontrata me fermerët dhe kjo u ka mundësuar atyre një treg të sigurt. Është një marrëdhënie që ne e kemi ndërtuar ndër vite, e cila na ndihmon të dyja palëve. Flasim për një zinxhir të konsoliduar për të cilin jemi investuar që në fillimet tona.

Cilat janë kombësitë dominuese në agroturizmin tuaj?

Vazhdojnë të mbeten perëndimorët, pra gjermanë, italianë, por edhe numri i spanjollëve është rritur ndjeshëm. Kosova ka qenë viteve të fundit më e vakët si prani dhe është zëvendësuar nga të huajt.

Agroturizmi është një segment i turizmit. A mendoni se një zbehje e njërit për arsye nga më të ndryshmet, siç mund të jetë shërbimi për shembull, mund të reflektohet te tjetri?

Ndryshe nga turizmi tradicional, agroturizmet janë të menaxhuar nga familjarë dhe kjo e ndihmon këtë sektor që të ketë tipare të veçanta, më shumë përkushtim dhe shërbim më cilësor. Mendoj se kjo fazë që po vjen është ajo e selektimit për të gjithë sektorin, si për turizmin dhe agroturizmin. Pra, do të bëhet diferencimi i qartë mes atyre që po punojnë mirë dhe kanë standard dhe atyre që nuk e ofrojnë këtë, ose ofrojnë më pak sesa reklamojnë. Në dy-tre vitet e ardhshme, mendoj se do të konsolidohet ajo bërthama e vendeve që kanë bërë një punë shumë të mirë. Do të kemi, mendoj, një panoramë më të qartë të agroturizmit dhe turizmit. Mendoj se orientimi drejt agroturizmit është diçka e mirë për ekonominë rurale, por hapja e shumë prej tyre duke u identifikuar si agroturizme, por që në fakt nuk janë të tillë, ka krijuar një lloj nevoje për selektim dhe mendoj që këtë do ta bëjë konkurrenca, pra vetë tregu.

Cilat janë sfidat që ju mendoni se mbeten më të vështirat për sektorin tuaj?

Besoj se mungesa e punëtorisë vazhdon të mbetet problem kryesor. Këtë verë nuk kemi pasur probleme dhe ka pasur qëndrueshmëri, por nëse do që të zgjerohesh apo të shtosh diçka të re, nuk është e lehtë. Për shembull, unë bashkë me fermerët e zonës, kemi marrë nismën për të shtuar pranë agroturizmit një laborator, që do të bëjë paketimin e produkteve të zonës. Më janë dashur ditë të tëra të siguroj punëtorët për të zbatuar këtë plan.

Çfarë produktesh do të paketoni dhe sa fermerë janë pjesë e kësaj nisme?

Janë prodhime të sezonit dhe e kemi menduar si një formë për të ofruar diçka plus për ata që duan të marrin me vete një produkt që e kanë shijuar apo që duan ta porosisin nga shtëpia e tyre. Nuk do të jetë diçka industriale por më shumë tradicionale, pra si një suvenir lokal. Deri më tani janë bërë bashkë 10 fermerë.

Si lindi ideja për këtë?

Ne kemi vazhdimisht kërkesë për produkte të mira dhe të freskëta dhe unë mendoj që duhet të zgjerojmë gamën e produkteve lokale që ofrojmë për të mos mbetur vetëm tek glikoja, që nuk po e paragjykoj, por është si të thuash një “përgatitje dembelësh”. Pra, të zgjerojmë gamën, sepse kjo shton edhe bazën e qarkullimit dhe e zgjeron rrezen e ndikimit në zonat rurale.

A keni menduar të bëni investime të tjera në agroturizmin tuaj në vijim?

Vitin që vjen ne do të kemi të shtuar edhe pishinën për klientët e hotelit, sepse kemi kërkesa për këtë. Nuk do të jetë një pishinë e madhe por një hapësirë plotësuese për atë paketë relaksi që ne kemi si agroturizëm. Më shumë e kërkojnë të huajt, ku disa janë nomadë digjitalë dhe qëndrojnë për më gjatë se zakonisht, pra katër ditë apo një javë.

A mendoni se integrimi në BE, pra kur do të duhet që tregjet në vend të përputhen me ata europianë, do të jetë i vështirë për ju?

Nuk e shoh kështu sepse që kur e kam hapur në fillim kam menduar “europiançe”. Pra kam zbatuar të njëjtin model dhe jo për t’u sajuar. Nuk mund ta mohoj që edhe subvencionet që janë dhënë nga shteti vazhdimisht na kanë ndihmuar që të rritemi. Kemi aplikuar për kredi të zbutur falë ndihmës së Ministrisë së Bujqësisë. Pra këto na kanë ndihmuar të rritemi dhe të shkojmë drejt subjekteve të konsoliduar.

Si e parashikoni vitin 2026, cilat janë pritshmëritë tuaja?

Mendoj gjithmonë pozitivisht sepse nga viti në vit kemi ardhur në rritje. Agroturizmet në vendin tonë janë ende të lirë për atë që ofrojnë. Turistët europianë e dinë që ushqimi i mirë, jeta origjinale rurale paguhen shumë më shtrenjta kudo. Shqipëria ka një mikroklimë të mrekullueshme dhe të gjithë këta faktorë mendoj se do të vijojnë të mbeten kyç në përzgjedhjen e atyre që na vizitojnë. Aktualisht jemi në rritje të ngadaltë, por të qëndrueshme dhe kjo është diçka shumë e mirë. Ajo që duhet të bëjmë është të punojmë për qëndrueshmërinë afatgjatë dhe ndoshta këtu do të duhet të merren masa për përmirësimin e transportit dhe aksesit të turistëve në këto zona rurale ku ndodhen agroturizmet.

Scroll to Top