Ahmetaj: Albana Koçiu nuk firmosi “Smart City”, Xhemal Qefalia është për burg!
Pak javë pasi qeveria miratoi kontratën për projektin “Smart City”, me një kosto prej 140 milionë dollarësh, i cili sipas kritikëve synon të shndërrojë Shqipërinë në një shtet nën mbikëqyrje të vazhdueshme, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka ngritur akuza të forta, duke publikuar detaje që ai i cilëson tronditëse.
Sipas Ahmetajt, tenderi për projektin “Smart City” i është dhënë kompanive nga vende që nuk janë anëtare të NATO-s, çka ngre shqetësime serioze për sigurinë kombëtare. Ai deklaroi se në këtë projekt janë përfshirë Ergys Agasi, si dhe një ish-ministër i Brendshëm i qeverisë Rama, ndërsa paralajmëroi se të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë rrezikojnë të monitorohen nga teknologji me qëllime jo miqësore.
“Ekziston një bisedë mes një ish-ministri dhe Ergys Agasit për ‘Smart City’, e cila do të dalë në publik,” paralajmëroi Arben Ahmetaj, duke hedhur dyshime për transferimin e të dhënave të shqiptarëve në një vend jo anëtar të NATO-s.
Ahmetaj theksoi se skandali nuk kufizohet vetëm te aspekti i sigurisë, por edhe te kostot e fryra në mënyrë të pajustifikueshme. Sipas tij, projekti “Smart City” rezulton deri në 7 herë më i shtrenjtë krahasuar me sisteme të ngjashme të zbatuara më parë në Shqipëri.
“Shqiptarët do të paguajnë 15 mijë e 723 dollarë vetëm për një kamerë trupi. Është çmenduri! Çmenduri!” tha Ahmetaj, duke denoncuar kostot e larta të projektit.
Ish-numri dy i qeverisë kujtoi se prej vitesh janë investuar fonde të konsiderueshme në vend për projekte “Smart City” nga bashkitë, si dhe nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili ka instaluar kamera në akset kryesore rrugore. Në këtë kontekst, Ahmetaj ngriti dyshime të forta se 140 milionë eurot e projektit të ri mund të përfundojnë në një tjetër aferë korruptive, sipas modelit të skandaleve të mëparshme.
Në deklaratat e tij, Ahmetaj e cilësoi kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor politik të këtyre aferave, duke shtuar se trashëgimia e tij do të jetë ajo e një njeriu që, sipas tij, “fuqizoi kartelet” dhe krijoi një sistem ku interesat kriminale përfitojnë nga projektet publike.
Ai zbuloi gjithashtu se ministrja e Brendshme Albana Koçiu ka refuzuar të firmosë projektin “Smart City”, ndërsa përgjegjësia për firmën i ka kaluar Xhemal Qefaliajt. Ahmetaj paralajmëroi se ky vendim do të ketë pasoja penale, duke deklaruar se “kjo histori do të përfundojë me burg”.
