“Më zë paniku sa herë që ajo kollitet” / Ajri toksik në Delhi po i sëmur fëmijët, ndotja arrin 20 herë mbi limitin
Mjegulla toksike që ka mbështjellë kryeqytetin indian, Delhi, po përkeqësohet, por fëmijët po përballen me pasojat më të rënda të këtij problemi të vazhdueshëm. Kjo situatë vihet re më qartë në klinikat e pediatërve.
Në një klinikë pediatrike në Noida, pranë Delhit, sallat e pritjes janë plot me prindër të shqetësuar, të cilët presin me fëmijët e tyre që teshtijnë, kolliten ose kanë vështirësi në frymëmarrje. Shumica e këtyre rasteve kanë filluar të paraqiten në tetor, kur cilësia e ajrit në kryeqytet ra në nivele të rrezikshme, duke shkaktuar zgjatjen e kohës së pritjes te mjeku.
Ajri toksik është një problem kronik në Delhi dhe në pjesën veriore të Indisë gjatë muajve të dimrit. Shkaqet janë të shumta dhe të ndërthurura: era e dobët, emetimet industriale, shkarkimet e automjeteve, ulja e temperaturave dhe djegia e kashtës së të korrave në shtetet fqinje.
Që nga muaji i kaluar, Indeksi i Cilësisë së Ajrit (AQI) në Delhi, i cili mat ndotës të ndryshëm, përfshirë grimcat e imëta PM2.5, ka luhatur mes 300 dhe 400. Kjo shifër është më shumë se 20 herë më e lartë se limiti i rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Nivelet mbi 400 prekin të gjithë njerëzit, por ndikojnë më rëndë te fëmijët dhe të moshuarit.
Shumë spitale në Delhi po përballen me një fluks të shtuar të fëmijëve të sëmurë për shkak të ajrit të ndotur. Dr. Shishir Bhatnagar, një pediatër në klinikën e Noida, shpjegon se grimcat e ndotura mund të dëmtojnë sistemin imunitar të fëmijëve, i cili është ende në zhvillim. Ai thekson se numri i rasteve me probleme respiratore është trefishuar vitet e fundit, duke arritur nga 20-30% në 50-70% gjatë sezonit të ndotjes.
Megjithë masat emergjente të qeverisë, si ndalimi i ndërtimeve dhe i automjeteve ndotëse, apo përpjekjet për të krijuar shi artificial, kriza e ndotjes vazhdon të shkaktojë ankth te miliona banorë, veçanërisht te prindërit.
Khushboo Bharti, 31 vjeç, rrëfen për një natë tmerri më 13 nëntor, kur u desh ta çonte vajzën njëvjeçare, Samaira, në spital për shkak të kollës së fortë dhe të vjellave të vazhdueshme. Pas mungesës së efektit të kurave shtëpiake, ajo u detyrua ta çonte foshnjën në spital natën. Samaira ishteLetargjike dhe nuk reagoi ndaj asgjëje, një sjellje shumë e ndryshme nga ajo e zakonshme. Pas trajtimit me nebulizator dhe oksigjen, ajo u diagnostikua me pneumoni.
Që nga ajo ngjarje, znj. Bharti jeton në ankth, duke u panikosur nga çdo kollë e vajzës së saj. Megjithëse Samaira është shëruar, shumë prindër shqetësohen për dëme të mundshme të pakthyeshme në shëndetin e fëmijëve të tyre. Disa mjekë kanë këshilluar përdorimin e inhalatorëve për një periudhë të gjatë.
Hulumtimet kanë treguar efektet negative të ndotjes së ajrit te fëmijët, duke përfshirë zhvillimin e ngadaltë, imunitetin e dobët dhe aftësi njohëse më të ulëta. Një studim i kohëve të fundit nga Universiteti i Kembrixhit sugjeron se ekspozimi ndaj ndotësve të caktuar rrit rrezikun e zhvillimit të formave të ndryshme të demencës.
Këto rreziqe kanë shtyrë shumë prindër të mendojnë për largimin nga Delhi. “Çfarë kuptimi ka të jetosh në një qytet ku vajza ime nuk mund të marrë frymë e sigurt?”, pyet një prind. Për shkak të biznesit të bashkëshortit, ata nuk mund të largohen menjëherë, por shpresojnë të bëjnë një gjë të tillë sa më shpejt të jetë e mundur.
