SPAK po heton një rrëmbim të dytë në AKSH, atë të Daniel Shimës?
Të dyja rrëmbimet janë kryer brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe kanë lidhje me tenderat e AKSH. Personat që kanë kryer rrëmbimet janë maskuar me uniforma shtetërore. Skandali tronditës i rrëmbimit të biznesmenit Gerond Meçe, i cili merrej me tenderat e AKSH, për të cilin prokuroria e posaçme akuzon mikun e ngushtë të Edi Ramës, Ergys Agasin, mund të mos jetë historia e vetme mafioze e këtij institucioni. Institucion ky, që nën mbikëqyrjen direkte të kryeministrit, ka menaxhuar një portofol prokurimesh publike që kalon gjysmë miliardë euro.
Kushdo që ka dëgjuar liderin e opozitës, Sali Berisha, të denoncojë për vite me radhë pengmarrjet mafioze, nuk mund t’i lidhë informacionet e tij të mëparshme me ato që janë zbuluar nga dosja skandaloze e AKSH-it. Kjo pasi, edhe pse ngjarjet kanë ndodhur brenda një periudhe të ngjashme kohore, bëhet fjalë për dy rrëmbime të ndryshme personash.
Përveç Gerond Meçes, i cili u dërgua në rrugën e Qafë Krrabës më 12 gusht 2025, dyshohet se të njëjtin fat ka pasur edhe zv/drejtori i AKSH, Daniel Shima. Zhdukja e Daniel Shima u raportua më 20 gusht, pasi e dashura e tij, avokate, kishte marrë një mesazh të shkurtër ku ai shkruante vetëm: “Po më arreston policia”. Misteri i largimit të tij zgjati vetëm 10 orë, dhe më pas policia deklaroi se ai ishte larguar me dëshirë, ndërsa vetë Shima pohoi se ishte larguar drejt Dhërmiut, pas një sherri me të dashurën e tij.
Sipas denoncimeve të bëra në verë nga lideri i opozitës Berisha, rrëmbimi i ish-drejtorit të AKSH bëhej për shkak se ai kishte treguar lidhur me skandalin e tenderave që fitonte në AKSh baxhanaku i Edi Ramës, Armand Frangu. Sipas Berishës, ekzistonin përgjime të prokurorit të SPAK, Vladimir Mara, ku thuhej se një pjesë e parave mbërrinte direkt në vilën e Surrelit. Daniel Shima kishte dijeni për këto dhe nuk duhet të rrëfehej para prokurorëve, sepse ajo dosje duhet të mbyllej.
Pak a shumë të njëtin version ka hedhur në treg edhe ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj. “Ka 8 muaj që investigohet AKSH-i. Është bërë një përgjim ambiental që është në SPAK. Mund ta zhdukin po dikush e ka një kopje të saj dhe më ka garantuar që një kopje e saj është në një kuti. Është bërë përgjim ambiental ku është përfshirë familja e kryeministrit te AKSHI, 43 milionë euro me prestanome… Danieli, një ish-punonjës, është kërcënuar që të mbyllë gojën. Nga kryeministri vetë,” – tha Ahmetaj në intervistën me Çim Peka.
Dyshimet për këto deklarata politikanësh i përforcon edhe një fakt tjetër. 4-5 muaj përpara se të rrëmbehej, Daniel Shima ishte pushuar nga puna. Dhe largimi i tij nga AKSH, si për koincidencë, ishte firmosur nga drejtoresha Mirlinda Kërçanaj, mikeshë e Ergys Agasit, pikërisht në ditën që ajo u mor në pyetje nga SPAK, më 19 mars 2024.
Pra, të dy rrëmbimet janë kryer brenda një periudhe të ngjashme kohore, të dyja kanë lidhje me tenderat e AKSH, dhe personat që kanë zbatuar pengmarrjen janë kamufluar me uniforma shtetërore. Njësoj si Gerond Meçe, i cili nuk pranoi të bënte denoncim në polici, pasi nuk kishte besim, por shkoi e u fal tek një ambasadë e huaj, edhe Daniel Shima, pas dhjetë orësh i zhdukur, nuk gjeti alibi më të mirë se një sherr me të dashurën, duke refuzuar të thotë të vërtetën.
A janë këto indicie të mjaftueshme për të dyshuar se pas tyre qëndron i njëjti grup? Pikërisht këtë pistë po ndjekin prokurorët e SPAK dhe hetuesit e BKH, duke shtuar dyshimet se sekuestrimi i personave ishte një praktikë pune e bandës që paguhej nga shteti për të zhvilluar inteligjencën artificiale.
©Lapsi.al
