Dosja AKSHI: Ahmetaj publikon listën e kompanive pranë Ramës që nuk paguajnë taksa
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka bërë akuza të reja të rënda në lidhje me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), të cilën e ka përshkruar si “kopshti privat i Edi Ramës”. Ai ka deklaruar se tenderat sekret me vlerë qindra milionë euro kanë përfunduar në duart e grupeve kriminale.
Në emisionin “Çim Peka Live”, Ahmetaj u shpreh se këto tendera i janë dhënë personave dhe kompanive të lidhura me pushtetin. Ai përmendi konkretisht Ermal Beqirin dhe Ergys Agasin, duke theksuar se fondet publike të përfituara nga këto tendera shoqërohen me një marrëdhënie promovimi politik. Sipas Ahmetajt, Beqiri promovon te Edi Rama kompani dhe shoqata që ai drejton.
Ahmetaj publikoi gjithashtu detaje, duke deklaruar se qeveria jo vetëm u ka dhënë tendera sekret këtyre subjekteve, por ka krijuar edhe mekanizma për shmangien e taksave. Sipas tij, kompanitë janë regjistruar formalisht në qendrën Durana në Xhafzotaj, duke përfituar status fiskal të favorshëm, ndërsa aktivitetin real e zhvillojnë në Tiranë.
“Kur kanë bërë ligjin e Duranës, ja ku e ke Lira Kokonën me Ermal Beqirin, te lista e kompanive, ke dy kompani të Ermal Beqirit te lista dhe këtu shoqata me kryetar Ermal Beqirin promovon këtë burrin që u ka dorëzuar AKSHI-n. Këtë e bën Ermal Beqiri, shoqata. Ky i jep tendera, këto e promovojnë. Me standartin e SPAK-ut, të Altin Dumanit këta duhet të arrestohen të gjithë,” tha Ahmetaj.
Ish-zëvendëskryeministri shtoi se bëhet fjalë për 46 kompani të teknologjisë së informacionit, të cilat, megjithëse të regjistruara në atë që ai e quajti “parajsë fiskale” në Xhafzotaj, kanë zyrat reale në zonën e Bllokut, duke shmangur kështu pagesën e detyrimeve tatimore në Shqipëri.
Gjatë intervistës, Ahmetaj ngriti gjithashtu dyshime për veprimet e SPAK, duke deklaruar se ende nuk po hetohet rrëmbimi i Daniel Shimës, ish zëvendësdrejtor i AKSHI-t, një ngjarje që sipas tij ndodhi pas rrëmbimit të Gerond Meçes. Ahmetaj sugjeroi se këto ngjarje lidhen drejtpërdrejt me interesat dhe konfliktet për kontrollin e tenderave dhe të dhënave.
Në përfundim, Ahmetaj deklaroi se tenderat sekret të AKSHI-t kanë kaluar në duart e grupeve kriminale, të cilat sipas tij kontrollojnë tashmë jo vetëm paratë publike, por edhe të dhëna të ndjeshme që lidhen me sigurinë kombëtare, duke e cilësuar situatën si një rrezik serioz për shtetin shqiptar.
