AKSHI/ Berisha: Të dhënat e sigurisë kombëtare u kaluan armiqve të NATO-s
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në një konferencë për shtyp se nëpërmjet AKSHI-t është cenuar jo vetëm siguria kombëtare, me vjedhjen e të dhënave sekrete, por edhe aleanca e Shqipërisë me vendet partnere të NATO-s, përmes informacioneve që këto të fundit përcillnin në këtë rrjet sigurie. Ai e cilësoi dosjen e AKSHI-t si veprën më të shëmtuar në historinë e kombit.
“Në dosjen e AKSHI-t janë veprat më të shëmtuara në historinë e kombit. Vjedhja e plotë dhe totale e të gjitha të dhënave të sigurisë kombëtare dhe atyre që kanë lidhje me aleancën e Shqipërisë dhe vijnë nga vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut. Kalimi i këtyre të dhënave në duart e bandave dhe armiqve të betuar të kombit shqiptar dhe NATO-s”, tha ai.
Ai akuzoi edhe familjen e kryeministrit Edi Rama për implikim në dosjen e AKSHI-t, sipas provave të SPAK-ut.
“AKSHI, ekskluzivitet total i familjes së kryeministrit”, tha Berisha. Më tej, ai shtoi se Rama është përgjegjës direkt për këtë dosje: “Rama e ka përgjegjësinë më të rëndë se Balluku. Kopshti privat i Ramës, AKSHI, nuk është kontrolluar nga Lubi Balluku. AKSHI ka qenë ekskluzivitet total i familjes Rama. Dosja e AKSHI-t nuk është vetëm dosja e vjedhjeve të qindra milionë eurove nëpërmjet baxhanakut të tij në AKSH dhe implikimi që tregojnë regjistrimet e bashkëshortes së tij në përcaktimin e fituesve. Nuk janë vetëm pengmarrje, tre pengmarrje, jo dy”, tha kreu i selisë blu.
Berisha përshëndeti edhe protestën e banorëve të Vlorës për mungesën e ujit, duke i mbështetur, teksa apeloi për reagim mbarëkombëtar, me qëllim rrëzimin e qeverisë së korruptuar dhe regjimit të dytë diktatorial.
