Aksident Tragjik në Brazil: 74-vjeçari vdes nga rrëzimi i ballkonit

Momenti tragjik u filmua: 74-vjeçari humbet jetën pasi u shtyp nga ballkoni i një ndërtese në Brazil

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në São Paulo të Brazilit, ku një 74-vjeçar ka humbur jetën pasi u shtyp nga një strukturë betoni që ra nga fasada e një ndërtese. Ngjarja u regjistrua nga kamerat e sigurisë dhe tregon momentin e tmerrshëm të rrëzimit.

Sipas raportimeve, aksidenti ndodhi të dielën, më 14 shtator, rreth orës 10:00 të mëngjesit, në lagjen Guaianases, në pjesën lindore të qytetit. Në pamjet filmike shihet 74-vjeçari duke ecur në trotuar pranë një dyqani të mbyllur, së bashku me një grua.

Papritur, një pjesë e ballkonit ose markizë betoni u shkëput nga ndërtesa dhe ra drejt burrit. Ai nuk pati asnjë mundësi reagimi dhe u bllokua nën rrënoja. Për fat të mirë, gruaja që ndodhej pranë tij arriti të shpëtonte në momentin e fundit.

Menjëherë pas ngjarjes, ajo kërkoi ndihmë dhe në vendngjarje mbërritën shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit. 74-vjeçari u nxor nga rrënojat dhe u dërgua me urgjencë në spital. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të rënda dhe ndërroi jetë.

Ngjarja është aktualisht nën hetim për të zbardhur shkaqet e saktë të shembjes së strukturës së betonit.

Scroll to Top