Aksident tragjik në Durrës: Automjet bie nga ura, 1 viktimë

Aksident i rëndë në Durrës, automjet rrëzohet nga ura 30 metra poshtë

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 15 janarit në Durrës, pranë Urës së Dajlanit. Rreth orës 22:15, një automjet tip BMW X5 ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga ura, duke përfunduar rreth 30 metra më poshtë.

Si pasojë e aksidentit, pasagjerja 18-vjeçare ka humbur jetën. Drejtuesi i mjetit, 26 vjeç, banues në Fier, ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Gjithashtu, dy këmbësorë kanë pësuar dëmtime nga aksidenti dhe ndodhen nën kujdesin e personelit mjekësor.

Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 22:15, të datës 15.01.2026, te ura e Dajlanit, në lagjen nr. 4, automjeti me drejtues shtetasin A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi. Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe. Janë dëmtuar edhe drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Xh., si dhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Automjeti është dëmtuar rëndë si pasojë e përplasjes së fortë, duke kërkuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse për nxjerrjen e dy personave që ndodheshin brenda mjetit. Drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe as mbrojtëset metalike të aksit rrugor nuk kanë mundur të pengojnë rënien e automjetit poshtë Urës së Dajlanit.

Mësohet se në një pjesë të mbikalimit të Urës së Dajlanit po kryheshin punime në njërën korsi. Nuk është ende e qartë nëse këto punime nuk janë vënë re nga drejtuesi i mjetit, duke shkaktuar një manovër të gabuar, apo nëse ka pasur rrethana të tjera që kanë kontribuar në aksident. Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

Scroll to Top