Aksidenti në Vlorë/ “Të ecësh me 200 km/orë dhe i dehur, është vrasje me dashje”
Daja i 17-vjeçarit Leandro Shametaj, i cili humbi jetën në aksidentin tragjik në Vlorë dy ditë më parë, ka bërë dje një deklaratë të fortë për mediat, duke theksuar se ngjarja nuk ishte aksident, por vrasje me dashje.
Në prononcimin e tij për mediat, u shpreh se drejtimi i automjetit me shpejtësi mbi 200 km/orë, në mes të bulevardit dhe në gjendje të dehur, nuk mund të cilësohet si aksident. Ai shtoi se, ndonëse autori, Hajri Bajramaj, u la në burg me vendim të Gjykatës së Vlorës, familjarët kërkojnë ashpërsimin e ligjeve dhe dënimin maksimal për autorët e ngjarjeve të tilla tragjike.
“Ne kërkojmë nga drejtësia që, vërtetë ai ka marrë atë çka meriton, por ne kërkojmë që të ashpërsohet ky ligj. Nuk ishte një aksident, por për ne është një vrasje me dashje. Në momentin që ecën me 200 km/h në bulevard dhe të rezultosh i dehur, nuk ka fjalë për ne… Nuk arrijmë dot ta besojmë këtë gjë. Kërkojmë që të ashpërsohet ligji, nuk është shkelje e qarkullimit rrugor, është vrasje me dashje”, tha ai.
