Aktakuzë për masakrën e Reçakut: 21 të akuzuar për krime lufte

Kosova ngre aktakuzë ndaj 21 personave për masakrën e Reçakut

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 21 personave lidhur me masakrën e Reçakut, ku më 15 janar 1999 humbën jetën 45 civilë.

Ndaj personave me inicialet O.S., R.M., K.J., G.R., ZH.T., B.J., M.L., R.M., D.GJ., B.M., D.J., M.SH., D.A., S.V., B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Ç.A., është ngritur aktakuzë për veprën penale “krim i luftës kundër popullatës civile”. Ata akuzohen për vrasjen e 42 civilëve në Reçak të Shtimes, gjatë një operacioni të forcave policore serbe.

Prokuroria ka propozuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, pasi ata janë “të paarritshëm për organet e drejtësisë” të Kosovës.

Sipas aktakuzës, në periudhën 1998-1999, të akuzuarit, si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës “243 të Mekanizuar”, Armatës së III-të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”.

Prokuroria ka deklaruar se të pandehurit kishin rrethuar fshatin Reçak nga vendet e quajtura “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”. Më pas, sipas aktakuzës, ata e kishin granatuar fshatin, kishin kryer kontrolle shtëpi pas shtëpie, dhe kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar të largoheshin nga fshati, “ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan”.

“Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Atëbotë, si pasojë e këtij operacioni të forcave serbe, afër 20 mijë civilë nga fshatrat Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, sipas Prokurorisë.

Gjykimi në mungesë, që Prokuroria Speciale ka kërkuar për këtë rast, mundësohet pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra në vitin 2022. Megjithatë, gjykime të tilla mund të kryhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit. Ky Kod, megjithatë, përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Dokumentimi i krimeve të kryera në Reçak ishte bërë nga William Walker, i cili në vitin 1999 shërbente si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja kreu sulme kundër caqeve ushtarake dhe policore në ish-Jugosllavi. Pas 78 ditësh sulmesh, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë mundësoi edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë në vitet 1998/99, u vranë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë u zhdukën. Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Në vitet e fundit, Kosova ka rritur numrin e aktakuzave në mungesë për krime lufte gjatë luftës së fundit. Më herët gjatë vitit, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.

Scroll to Top