Alarm në Kili! Dhjetëra raste me Hantavirus, frikë për përhapjen e virusit vdekjeprurës
Qeveria e Kilit ka shpallur alarm shëndetësor mbarëkombëtar për shkak të përhapjes së hantavirusit, një sëmundje me shkallë të lartë vdekshmërie. Masat e jashtëzakonshme do të mbeten në fuqi deri më 31 korrik 2027.
Ministria e Shëndetësisë e Kilit njoftoi se vendimi është marrë pas rritjes shqetësuese të rasteve dhe viktimave gjatë këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare, deri javën e kaluar janë konfirmuar 46 raste me hantavirus dhe 18 persona kanë humbur jetën. Shkalla e vdekshmërisë është rritur nga 18% në 39% brenda një viti.
Rastet janë identifikuar në rajonet:
- Valparaíso
- Metropolitan
- O’Higgins
- Maule
- Ñuble
- Biobío
- Araucanía
- Los Ríos
- Los Lagos
- Aysén
Hantavirusi transmetohet kryesisht përmes thithjes së grimcave të ajrit të kontaminuara nga jashtëqitjet e thata të brejtësve të infektuar. Në raste më të rralla, infeksioni mund të ndodhë edhe nga pickimet ose gërvishtjet e tyre. Virusi prek kryesisht mushkëritë dhe mund të shkaktojë komplikacione të rënda, shpesh fatale.
Sipas medias spanjolle InfoBae, kjo është hera e parë në historinë e Kilit që Ministria e Shëndetësisë shpall alarm shëndetësor në 13 nga 16 rajonet e vendit, duke përfshirë territorin nga Atacama deri në Magallanes.
Zëvendësministrja e Shëndetit Publik, Alejandra Pizarro, deklaroi se hantavirusi është një sëmundje endemike në Kili dhe transmetohet nga një lloj brejtësi që jeton në zonat rurale dhe gjysmë-rurale. “Po monitorojmë vazhdimisht përhapjen e virusit dhe jemi veçanërisht të shqetësuar, pasi shkalla e vdekshmërisë është rritur ndjeshëm këtë vit. Për këtë arsye kemi vendosur të shpallim alarm shëndetësor,” u shpreh ajo.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të:
- Shmangin kontaktin me brejtësit.
- Ajrosin banesat e mbyllura për periudha të gjata.
- Pastrojnë ambientet e papërdorura me ujë dhe zbardhues.
- Ruajnë ushqimet dhe mbeturinat në mënyrë të sigurt për të parandaluar përhapjen e virusit.
Hantavirusi tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare edhe në muajin maj, kur në anijen turistike MV Hondius u konfirmuan të paktën 11 raste infektimi dhe tre persona humbën jetën. Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerësoi se shpërthimi nuk pritej të shndërrohej në një epidemi të gjerë.
Alarmi i shpallur nga autoritetet kiliane synon të forcojë masat parandaluese dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për një virus që vazhdon të konsiderohet një nga sëmundjet më të rrezikshme zoonotike në vend.
