Zelensky kërkon 300 raketa Patriot nga Trump para dimrit

Zelensky i kërkon Trump 300 raketa Patriot para dimrit: Nevojitet urgjent përballja me sulmet ruse.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump një paketë emergjente me 300 raketa Patriot. Këto sisteme mbrojtëse janë të nevojshme për të përballuar sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të vendit gjatë dimrit.

Në një intervistë për Axios, Zelensky bëri të ditur se kjo kërkesë u diskutua gjatë takimit të zhvilluar të martën në Shtëpinë e Bardhë. Në fokus të bisedimeve ishte edhe mundësia që Ukraina të marrë licencë për prodhimin e raketave Patriot.

“Diskutuam dhënien e një licence për prodhimin e raketave Patriot dhe ide të tjera që mund të ndihmojnë Ukrainën,” tha presidenti ukrainas, duke theksuar nevojën urgjente për sisteme të mbrojtjes ajrore.

Pas takimit me Trump, Zelensky zhvilloi bisedime edhe me përfaqësues të kompanive amerikane Lockheed Martin dhe Raytheon, prodhues të raketave Patriot. Ai pranoi se edhe nëse Ukraina siguron licencën e prodhimit, do të duhen nga një deri në pesë vjet për të arritur prodhimin në shkallë të gjerë.

“Ne kemi nevojë për Patriot,” u shpreh Zelensky, duke nënvizuar urgjencën e situatës përpara sezonit të dimrit.

Presidenti Trump premtoi se do të përpiqet të ndihmojë Kievin, por theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përballen me vështirësi në furnizimin e Ukrainës me një numër kaq të madh raketash, për shkak të angazhimeve të tjera ushtarake, përfshirë konfliktin me Iranin.

Zelensky bëri të ditur gjithashtu se të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner mund të vizitojnë Kievin brenda dy javëve të ardhshme. Qëllimi i vizitës do të jetë diskutimi i mundësive për rifillimin e negociatave të paqes, megjithëse presidenti ukrainas mbetet skeptik se Rusia do të pranojë një armëpushim në këtë fazë të konfliktit.

Scroll to Top