Alarmi: Reshje Intensive & Rrezik Përmbytjesh në Veri e Jug

Alarmi: Reshje intensive sot dhe nesër në veri dhe jug, rrezik përmbytjesh

Sot dhe nesër priten reshje me intensitet të lartë në veri dhe jug të vendit. Instituti i Gjeoshkencave ka njoftuar se reshjet e dendura do të përfshijnë Lezhën, Shkodrën, Kukësin, Vlorën dhe Gjirokastrën. Gjithashtu, raportohet se në disa qarqe mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve, ndërsa zonat urbane përballen me rrezikun e përmbytjeve.

NJOFTIMI

Sot pasdite (e hënë, datë 05) dhe nesër (e martë, datë 06) priten reshje me intensitet të lartë, kryesisht në veri dhe jug të vendit. Në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër ekziston mundësia për vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dherash. Në zonat urbane të këtyre qarqeve, probleme me përmbytje të lokalizuara mund të shfaqen në varësi të gjendjes së rrjetit të kanalizimeve.

Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si pasojë e reshjeve intensive të rëna ditët e kaluara, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e enjte, datë 08 Janar, pritet një rritje e rrezikshme e prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni Shkodrës, lumi Mat, Shkumbin dhe Vjosë.

Lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të jenë nën rrezik të shtuar për përmbytje, me prurje dhe nivele të larta që do të vazhdojnë gjatë ditës së sotme dhe asaj të nesërme.

PARASHIKIMI METEO RESHJET

Sot pasdite (e hënë, datë 05) dhe nesër (e martë, datë 06) në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive, deri lokalisht shumë intensive. Në qarqet Lezhë, Berat dhe Korçë priten reshje mesatare, deri lokalisht intensive. Në qarqet e tjera parashikohen reshje të dobëta deri mesatare.

Reshjet pritet të shoqërohen me shtrëngata.

TEMPERATURA

Nesër (e martë, datë 06), temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

  • Në bregdet: 13/17 °C
  • Në vendet e ulëta: 12/17 °C
  • Në vendet malore: 5/11 °C

ERA

Sot pasdite (e hënë, datë 05) dhe nesër (e martë, datë 06), era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet dhe në veri.

Scroll to Top