Algjeri: Zjarre vdekjeprurëse, Presidenti kërkon dënim kapital

Zjarre vdekjeprurëse në Algjeri, presidenti kërkon dënim kapital për piromanët

Presidenti i Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune, ka kërkuar rikthimin e dënimit me vdekje për personat që shpallen fajtorë për vendosjen e qëllimshme të zjarreve në zonat pyjore. Ky kërkesë vjen pas një vale zjarresh masive që kanë shkaktuar të paktën 12 viktima në veri të vendit.

Presidenti Tebboune i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë që të përgatisë ndryshimet në Kodin Penal. Synimi është që personat që ndezin qëllimisht zjarre në pyje të përballen me dënimin kapital. Ai ka caktuar 15 shtatorin si afat për përgatitjen e këtyre ndryshimeve ligjore.

Dënimi me vdekje vazhdon të jetë pjesë e Kodit Penal algjerian për disa vepra të rënda, por në vend nuk është kryer asnjë ekzekutim që prej vitit 1993. Aktualisht, zjarrëvënia e qëllimshme dënohet me deri në 30 vite burg, ndërsa në raste të caktuara dënimi mund të jetë burgimi i përjetshëm.

Më shumë se 100 vatra zjarri janë regjistruar gjatë ditëve të fundit në verilindje të Algjerisë, ndërsa pjesa më e madhe e tyre është vënë nën kontroll. Autoritetet kanë vijuar ndërhyrjet për shuarjen e vatrave të mbetura. Shërbimet civile raportuan se nga 19 zjarre të regjistruara gjatë 24 orëve, 18 ishin shuar.

Zjarret kanë përfshirë zona të mëdha pyjore në veri të vendit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, dhjetëra të plagosur dhe zhvendosjen e mijëra banorëve nga zonat e rrezikuara.

Presidenti Tebboune ka deklaruar se nuk përjashton mundësinë që disa prej zjarreve të jenë shkaktuar qëllimisht. Ai ka urdhëruar zhvillimin e hetimeve për të përcaktuar shkaqet e zjarreve, veçanërisht për shkak të përmasave dhe intensitetit të tyre.

Autoritetet algjeriane kanë nisur gjithashtu vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga flakët. Presidenti Tebboune ka urdhëruar që familjet e prekura të kompensohen dhe që të riparohen banesat e dëmtuara, si dhe shërbimet e infrastrukturat thelbësore në zonat e prekura.

Scroll to Top