Alimehmeti: Qeveria do rrëzohet vetëm me revoltë, kritikon mungesën e transparencës

Alimehmeti: Kjo qeveri do rrëzohet vetëm me revoltë!

Ilir Alimehmeti mbajti fjalën e tij gjatë një tubimi të mbajtur në Foltoren e Sali Berishës, ku morën pjesë demokratët e degëve 1 dhe 3 në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, Alimehmeti ngriti shqetësimin lidhur me rritjen e çmimeve të barnave kohët e fundit.

Ai kritikoi qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë për mungesë transparence dhe planifikimi. Alimehmeti theksoi se pacientët aktualisht bëjnë ecejake në spitale pa gjetur zgjidhje.

“Ka një problem më të madh akoma për të sëmurët. Tregu farmaceutik hyri në kaos. Qeveria, pa paralajmërim, ndërhyri te çmimet e barnave. Kjo bëri që farmacistët të mos përmbushin furnizimin me barna të rimbursueshme për pacientët. Iu vu në kurriz farmacistëve. Gjithçka që ndodh në shëndetësi, është në kurriz të njerëzve, jetës dhe shëndetit të tyre. Çmimet e dhjetëra barnave u rritën pa shpjegim, disa u trefishuan, pa transparencë. Ministria e Shëndetësisë duhet të jetë aty për të tuteluar njerëzit. Bëhet fjalë për antibiotikë, ilaçe tumorale, për shumë sëmundje. Kjo ndodh në kurriz të fondit publik dhe atyre që nuk përfitojnë, por për interes të disa firmave. Depot shesin me çmim më të lartë, ndërkohë që u kërkohet të shesin pacientëve më lirë. Kemi marrë shumë raportime për pacientë që bëjnë ecejake. Ministria e Shëndetësisë punon pa plan, nuk punon në drejtim të pacientit, por për interesa të disa xhepave. Kjo situatë i kthen pacientët kundër farmacistëve. Kërkohet një zgjidhje e menjëhershme.”

Alimehmeti përfundoi duke u shprehur: “Në 10 shkurt na jepet mundësia t’i japim një përgjigje qeverisë. Kjo qeveri do rrëzohet vetëm me protestë, revoltë. Duhet të thërrasim këdo. Sheshi tregon kush është opozita, si mundet Edi Rama.”

Scroll to Top