Mundësi Investimi: më 6 janar zhvillohet ankandi i obligacioneve 20-vjeçare
Ministria e Financave do të zhvillojë më datë 6 janar ankandin e parë të obligacioneve 20-vjeçare për vitin 2026. Shuma e obligacioneve që do t’u ofrohen për blerje investitorëve është 1.5 miliardë lekë.
Obligacionet 20-vjeçare përfaqësojnë instrumentet më afatgjata të borxhit të disponueshme aktualisht në tregun e brendshëm financiar. Si rrjedhojë, ato ofrojnë normat më të larta të kthimit nga investimi, krahasuar me titujt e tjerë qeveritarë.
Në ankandin e fundit të këtyre instrumenteve, të zhvilluar në shtator 2025, yield-i uniform i pranuar për këto obligacione u rrit në 6.88%, nga 6.5% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm të qershorit. Pavarësisht se shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave ishte 1 miliard lekë, vlera totale e kërkesave në ankand arriti në 1.31 miliardë lekë. Edhe pse pro rata (pjesa e pranuar) e kërkesave konkurruese nuk ishte shumë e lartë, në nivelin 49.4%, yield-et u rritën sërish. Këtij zhvillimi i kontribuoi edhe vendimi i Ministrisë së Financave për ta rritur shumën e emetimit në nivelin maksimal të lejuar, prej 15%. Sipas rregullores së ankandeve, për obligacionet yield-i është uniform me kërkesën më të lartë të pranuar.
Deri në mesin e vitit 2025, yield-et e titujve të borxhit të qeverisë shqiptare kishin ndjekur një tendencë rënëse, duke arritur nivele të paprecedenta si marzh në raport me normën bazë të interesit. Në gjysmën e dytë të vitit, siç ishte parashikuar, tregu hyri në një fazë korrektimi, veçanërisht për instrumentet me afat më të gjatë maturimi.
Obligacionet 20-vjeçare janë instrumentet më afatgjata të borxhit të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare. Ato përbëjnë një alternativë të mirë, sidomos për investitorët institucionalë. Për shoqëritë që administrojnë fonde me horizont afatgjatë, si fondet private të pensionit, obligacionet 20-vjeçare ofrojnë mundësi për të pasuruar spektrin e titujve në portofole dhe për të rritur kthimet për anëtarët. Shtimi i instrumenteve të borxhit me maturim afatgjatë krijon më shumë premisa për zhvillimin e tregut dytësor të titujve, duke i bërë ata më likuidë.
Individët ose subjektet e interesuara për të investuar mund të marrin pjesë në ankandet e obligacioneve nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj. Bankat e licencuara për këtë shërbim janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank.
Shuma minimale e pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve është 300 mijë lekë. Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese. Megjithatë, çdo kërkesë, vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë, klasifikohet si kërkesë konkurruese, pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand.
Obligacionet 20-vjeçare u emetuan për herë të parë në janar 2025, përmes një ankandi për testimin e tregut. Kërkesa e kënaqshme nga investitorët bëri që ky instrument të përdorej edhe tre herë të tjera gjatë vitit 2025, ndërkohë që Ministria e Financave do të vazhdojë ta përdorë edhe gjatë vitit 2026.
