Apeli GJKKO: Zarka hetohet për grup kriminal, dosja rigjykohet

Zbardhet vendimi, Apeli i GJKKO: Zarka të hetohet për grup të strukturuar kriminal

SPAK (Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) i cilësoi gabim veprat penale për të pandehurit e dosjes “Toyota Yaris”, përfshirë ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, pasi të akuzuarit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal. Ky është arsyetimi i Apelit të Posaçëm Antikorrupsion për prishjen e vendimit të Shkallës së Parë, i cili e kishte dënuar Zarkën me 2.8 vite burg, në bazë të gjykimit të shkurtuar, për veprat e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm dhe korrupsionit.

“Në të pestë faktet historike të vlerësuar si penale, mbi të cilat është gjendur fajtor i pandehuri z. A.Z., kanë marrë pjesë tre ose më shumë persona, të cilët janë marrë vesh dhe kanë rënë dakord për kryerjen e një apo më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale apo të çfarëdo lloji,” thekson Apeli.

Vendimi i Shkallës së Parë nuk u ankimua nga SPAK, ndërsa Apeli vendosi mbi ankimin e Zarkës, i cili kërkonte pafajësi. Sipas trupës gjykuese të Apelit, provat dhe rrethanat tregojnë qartë se jo vetëm Zarka, por edhe tre të pandehurit e tjerë të çështjes kanë bashkëpunuar si një grup i strukturuar kriminal. Kjo është në kundërshtim me vlerësimin e prokurorëve të çështjes, si dhe të gjyqtarëve të Shkallës së Parë, të cilët e cilësuan si bashkëpunim të thjeshtë në rrethana rënduese.

Sipas SPAK-ut, prokurori dhe personat e tjerë akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në tetë çështje penale që po hetoheshin në katër prokurori të ndryshme dhe që lidhen kryesisht me aktivitete të krimit të organizuar, si pastrimi i parave apo kultivimi i narkotikëve.

Një nga çështjet penale, e njohur si “Toyota Auris”, u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit, në qershor të vitit 2018, të 3.4 milionë eurove ‘cash’ të fshehura në dy makina të përdorura, të importuara nga Belgjika. Lidhur me këtë ngjarje, fillimisht u arrestuan Klevi Çani, Edi Lika dhe Alban Mollaymeri, ndërsa u akuzuan kushërinjtë Elvis Vladi dhe Alfred Vladi.

Gjashtë vjet më vonë, në vitin 2024, si rrjedhojë e të dhënave të përftuara nga aplikacioni Sky ECC, SPAK arrestoi prokurorin e Vlorës Aurel Zarka, avokatin Radovan Çela, Astrit Vladin – vëllain e Elvis Vladit – dhe shpalli në kërkim hetuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Eriona Daupaj.

Kjo dosje tashmë do të rigjykohet në Shkallën e Parë me një tjetër trupë gjykuese. Ende nuk dihet nëse SPAK do të ushtrojë ankim përmes rekursit në Shkallën e Tretë (Gjykatën e Lartë).

Scroll to Top