MABCO zyrtarizon rrugën drejt arbitrazhit për Aeroportin e Vlorës pas veprimeve të MIE
MABCO Constructions SA ka zyrtarizuar qëndrimin e saj për përdorimin e mekanizmave ndërkombëtarë për mbrojtjen e investimit të saj në Aeroportin e Vlorës, pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) nisi procedurën për zgjidhjen e kontratës së koncesionit.
Reagimi i kompanisë, i cili erdhi në formën e një deklarate për shtyp, u bë publik një ditë pas njoftimit se MIE kishte nisur procedurat për ndërprerjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
MABCO kundërshton pretendimet e autoritetit kontraktor dhe thekson se ka bërë përpjekje për të shmangur dërgimin e mosmarrëveshjes në arbitrazh ndërkombëtar. “MABCO bëri gjithçka të mundur për të shmangur arbitrazhin ndërkombëtar,” thuhet në deklaratën e kompanisë.
Në fund të deklaratës, MABCO njofton se do të ushtrojë të drejtat që, sipas saj, rrjedhin nga legjislacioni në fuqi, kontrata e koncesionit, marrëveshja dypalëshe Shqipëri-Zvicër për mbrojtjen e investimeve, si dhe mekanizmat ndërkombëtarë.
Edhe pse deklarata nuk paralajmëron depozitimin formal të një kërkese për arbitrazh, ajo sinjalizon se kompania konsideron të konsumuar përpjekjen për zgjidhjen e çështjes vetëm përmes komunikimit me autoritetet shqiptare.
MABCO deklaron se zotëron 98% të kuotave në shoqërinë koncesionare Vlora International Airport (VIA) dhe pretendon se është mbajtur jashtë kantierit dhe kontrollit të shoqërisë për gati një vit. Kompania pretendon se i ka dërguar MIE-së mbi 90 shkresa lidhur me situatën e projektit.
Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes ka të bëjë me arsyet e mosrealizimit të punimeve brenda afateve. MABCO kundërshton që vonesat t’i atribuohen vetëm asaj, duke pretenduar se hyrja e kompanisë dhe e nënkontraktorëve në kantier është ndaluar që prej 18 majit 2026. “MIE thotë se punimet nuk janë përfunduar, por hesht për arsyen pse ato nuk janë përfunduar,” thuhet në deklaratë.
Kompania pretendon gjithashtu se ka siguruar miratimin e Dublin Airport Authority për rolin e operatorit ndërkombëtar dhe se ministria ishte informuar për këtë proces.
Qëndrimi i MIE
MIE ka mbajtur më parë qëndrimin se mosmarrëveshja ndërmjet ortakëve është një konflikt privat që nuk mund të shërbejë si arsye për moszbatimin e detyrimeve të koncesionarit. Ministri Enea Karakaçi ka deklaruar më parë se operacionaliteti i aeroportit dhe përmbushja e kontratës janë përgjegjësi të shoqërisë koncesionare dhe se shteti do të përdorë instrumentet kontraktore për mbrojtjen e interesit publik.
Në fund të majit, ministria u kërkoi palëve të gjenin një zgjidhje për konfliktin brenda 30 ditësh dhe të paraqisnin dokumentacionin e nevojshëm për vijimin e projektit. Ajo kishte paralajmëruar se, në mungesë të një zgjidhjeje, do të ushtronte të drejtat e parashikuara nga kontrata e koncesionit dhe legjislacioni në fuqi.
Lëvizja e MIE për zgjidhjen e kontratës dhe reagimi i MABCO-s e zhvendosin mosmarrëveshjen nga përplasja për administrimin dhe vijimin e punimeve të Aeroportit të Vlorës drejt një konflikti të mundshëm juridik ndërkombëtar. Kontrata koncesionare ka qenë prej kohësh një burim konfliktesh, dhe mbetet për t’u parë nëse përgjegjësia do të bjerë sërish mbi kompaninë apo mbi taksapaguesit.
