Kultura si Industri: Strategjia e Re për Kapital Privat e Turizëm

## Kultura si Industri: Strategjia e Re Hap Rrugën për Kapital Privat, Teknologji dhe Turizëm

Qeveria po synon transformimin e sektorit të kulturës, duke e zhvendosur atë nga një model i varur kryesisht nga fondet publike drejt një qasjeje që integron industrinë krijuese, investimet private, teknologjinë dhe turizmin. Ky vizion shtrihet në Strategjinë Kombëtare për Kulturën 2026–2030, një dokument zyrtar që ka hyrë në fuqi menjëherë pas miratimit nga Këshilli i Ministrave më 30 korrik. Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, së bashku me institucionet e tjera përgjegjëse, ka marrë përsipër detyrën e zbatimit të këtij plani deri në vitin 2030.

Strategjia e vendos kulturën në qendër të politikave të zhvillimit ekonomik dhe territorial. Ajo parashikon mbështetje për industritë krijuese, reforma në sistemin e financimit, dixhitalizimin e institucioneve dhe një përdorim më të gjerë të trashëgimisë kulturore si pjesë e ofertës turistike. Objektivi për vitin 2030 është krijimi i një “ekosistemi të integruar”, ku trashëgimia, krijimtaria dhe pjesëmarrja kulturore funksionojnë si shtylla kryesore të zhvillimit kombëtar.

Një theks i veçantë i strategjisë i kushtohet **industrive kulturore dhe krijuese**, duke përfshirë sektorë si filmi, muzika, artizanati, botimet, dizajni, arkitektura dhe prodhimi digjital. Aktualisht, ky sektor paraqitet i fragmentuar, i përqendruar kryesisht në Tiranë dhe tepër i varur nga investimet publike dhe financimet e huaja. Plani parasheh miratimin e **instrumenteve të reja financimi**, nxitjen e **partneriteteve me sektorin privat** dhe krijimin e **skemave mbështetëse** për artistët, krijuesit dhe sipërmarrjet kulturore. Synimi është që financimi të mos kufizohet vetëm te grantet vjetore, por të përfshijë programe afatgjata, investime private, donacione dhe bashkëpunime inovative mes sektorit publik dhe atij privat. Strategjia kërkon ngritjen e **”mekanizmave të qëndrueshëm të financimit”**, të lidhur me objektiva të qartë, monitorim efektiv dhe vlerësim të rezultateve. Gjithashtu, parashikohen **masa fiskale dhe financiare** për të nxitur investimet dhe për të zgjeruar burimet e kapitalit për sektorin kulturor.

Një tjetër shtyllë e rëndësishme e strategjisë është **rritja e autonomisë së institucioneve kulturore**. Dokumenti synon që muzetë, teatrot dhe institucionet e tjera publike të kenë më shumë liri në menaxhimin e fondeve, në gjenerimin e të ardhurave dhe në bashkëpunimin me partnerë privatë, duke ruajtur në të njëjtën kohë kontrollin dhe përgjegjësinë publike.

Strategjia parashikon gjithashtu ngritjen e një **ekosistemi digjital kombëtar** që do të lidhë muzetë, arkivat, bibliotekat dhe institucionet e trashëgimisë. Kjo platformë do të synojë unifikimin e të dhënave për koleksionet dhe pasuritë kulturore, si dhe standardizimin e metodologjive për dokumentimin dhe publikimin e tyre. Dokumenti thekson përdorimin e teknologjive moderne, si inteligjenca artificiale dhe realiteti i zgjeruar, për të prezantuar më efektivisht përmbajtjen kulturore dhe për të zgjeruar aksesin e publikut.

Strategjia inkurajon gjithashtu një **shpërndarje më të gjerë të investimeve dhe aktiviteteve kulturore jashtë kryeqytetit**. Duke vënë në dukje pabarazitë ekzistuese në infrastrukturë, financim dhe pjesëmarrje kulturore mes Tiranës, qyteteve të tjera dhe zonave rurale, dokumenti parasheh programe të lëvizshme kulturore, mbështetje për zonat rurale, nisma edukative kulturore dhe një përfshirje më të madhe të bashkive në organizimin dhe financimin e aktiviteteve.

**Turizmi kulturor** identifikohet si një potencial i konsiderueshëm për rritje. Strategjia parashikon integrimin e monumenteve, muzeve, artizanatit dhe trashëgimisë jomateriale me itineraret turistike dhe zhvillimin ekonomik lokal. Parashikimet tregojnë se institucionet e trashëgimisë pritet të mirëpresin rreth 3.3 milionë vizitorë në vitin 2025, një rritje e ndjeshme nga 1.5 milionë të vitit 2019. Për të menaxhuar këtë rritje, strategjia synon përmirësimin e shërbimeve, standardeve dhe shpërndarjen e flukseve turistike.

Në nivel ndërkombëtar, Shqipëria synon të forcojë pjesëmarrjen në programet kulturore të Bashkimit Evropian dhe UNESCO-s, si dhe të rrisë praninë e artistëve dhe institucioneve shqiptare në ngjarje dhe projekte ndërkombëtare. Strategjia fokusohhet në katër prioritete kryesore: **mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë, zhvillimin e industrive krijuese, përmirësimin e infrastrukturës kulturore dhe zgjerimin e aksesit**.

Scroll to Top