Arkëtimet e ujësjellësve bien në 81.4%, operatorët mbeten nën objektivin e vitit 2025
Norma e arkëtimit të faturave korrente nga shoqëritë ujësjellës-kanalizime ka shënuar rënie gjatë vitit 2025, duke zbritur nën objektivin e përcaktuar në Strategjinë Kombëtare të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve. Enti Rregullator i Ujit (ERRU) evidenton diferenca të ndjeshme në performancën e operatorëve.
Sipas Raportit të Performancës 2025 të ERRU-së, Norma e Arkëtimit Korente për sektorin rezultoi në 81.4%, nga 84.6% në vitin 2024, duke shënuar një rënie prej rreth 3.2 pikë përqindjeje. ERRU vlerëson se ky rezultat, megjithëse i pranueshëm, mbetet poshtë objektivit prej 90% të përcaktuar për vitin 2025 në Strategjinë Kombëtare të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve.
Norma e arkëtimit është një nga treguesit kryesorë financiarë të monitoruar nga ERRU, pasi lidhet me aftësinë e operatorëve për të siguruar të ardhura nga shërbimet e ofruara. Raporti e përkufizon këtë tregues si një matës të efektivitetit të shoqërive në mbledhjen e faturave të emetuara gjatë vitit raportues dhe të kapacitetit të tyre për të garantuar likuiditetin e nevojshëm për aktivitetin.
Përveç normës së arkëtimit korrente, ERRU monitoron edhe normën e përgjithshme të arkëtimit, e cila përfshin pagesat e faturave të vitit aktual dhe detyrimet e mbartura nga vitet e mëparshme. Në vitin 2025, kjo normë rezultoi në 98.5%, nga 102.6% në vitin 2024, duke shënuar gjithashtu një rënie.
Raporti evidenton se krahasimi i performancës mes shoqërive ndikohet edhe nga mënyra të ndryshme të regjistrimit kontabël të arkëtimeve. Sipas ERRU-së, disa operatorë i regjistrojnë pagesat e realizuara gjatë vitit për detyrime të faturuara në periudha të mëparshme si arkëtime debish dhe jo si arkëtime korrente. Ky ndikim kufizon krahasueshmërinë e rezultateve ndërmjet shoqërive.
Për këtë arsye, norma e përgjithshme e arkëtimit konsiderohet një tregues më i qëndrueshëm për vlerësimin e performancës së operatorëve, pasi përfshin edhe pagesat e detyrimeve të mbartura.
Rënia e arkëtimeve korrente vjen në një kohë kur treguesit financiarë të sektorit kanë shënuar përmirësim në disa drejtime. Raporti tregon se mbulimi i kostove të operimit dhe mirëmbajtjes arriti në 116.8%, ndërsa mbulimi i kostos totale u rrit në 89% gjatë vitit 2025. Gjithsesi, ERRU thekson se përmirësimi i qëndrueshmërisë financiare të sektorit lidhet drejtpërdrejt edhe me forcimin e disiplinës së pagesave.
Në raport thuhet se treguesit e arkëtimit “nënvizojnë rëndësinë e vijimit të masave për përmirësimin e disiplinës së pagesave dhe konsolidimin e praktikave të administrimit financiar, në mbështetje të qëndrueshmërisë afatgjatë të sektorit”.
Në vitin 2025, performanca e operatorëve ka qenë e ndryshme edhe sipas klasifikimit të ERRU-së. Nga 17 shoqëri, vetëm një pjesë e tyre kanë arritur nivele të larta në treguesit financiarë, ndërsa një numër operatorësh vijojnë të përballen me vështirësi në mbulimin e kostove dhe sigurimin e të ardhurave të mjaftueshme nga aktiviteti.
