Kërkohej ndërkombëtarisht për përvetësim apartamenti me falsifikime, 60-vjeçari arrestohet në Gjermani
Një 60-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Gjermani me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Bëhet fjalë për shtetasin Hito Musaj, 60 vjeç, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
60-vjeçari Musaj akuzohet se, nëpërmjet falsifikimit të lejes së ndërtimit, ka përvetësuar apartamentin e shtetasit J. M. Më pas, ai ka prishur apartamentin dhe ka ndërtuar një objekt tjetër me përmasa të mëdha.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, do të kryejë procedurat për ekstradimin e 60-vjeçarit në Shqipëri.
Ky arrestim vjen si pjesë e operacionit të koduar “The Wanted”, i cili synon kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe homologëve në Gjermani, brenda kuadrit të operacionit “The Wanted”, shtetasi Hito Musaj, 60 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u lokalizua, u kap dhe u arrestua në Gjermani me qëllim ekstradimin në Shqipëri.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 19.06.2022, i ka caktuar shtetasit H. M. masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale të përmendura më lart.
