Tentoi të fuste 38 mijë dollarë të padeklaruara në Kapshticë, arrestohet 67-vjeçari
Një 67-vjeçar është arrestuar në pikën kufitare të Kapshticës pasi tentoi të kalonte 38,000 dollarë amerikanë të padeklaruar, duke i fshehur në trup.
Gjatë një kontrolli të ushtruar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit të DVKM Korçë, pranë Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, është ndaluar automjeti me drejtues shtetasin Gj. F.
Gjatë kontrollit fizik të tij, iu zbuluan dhe sekuestruan 38,000 dollarë amerikanë të padeklaruar.
Më tej, pas një kontrolli të banesës së 67-vjeçarit, specialistët zbuluan dhe sekuestruan edhe 35,000 euro.
Në përfundim të veprimeve, për shtetasin Gj. F., 67 vjeç, banues në Korçë, u referuan materialet në Prokurori për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Shumat monetare të gjetura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.
