Arrestohet një 29-vjeçar i akuzuar për shpërndarje materialesh pornografike me të mitur
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka njoftuar të enjten arrestimin e një 29-vjeçari, banues në Tiranë, i cili akuzohet për veprën penale “Pornografia me të mitur”.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, operacioni u krye pas informacioneve të marra nga autoritetet gjermane dhe EUROPOL-i. Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, realizoi veprimet hetimore dhe procedurale që çuan në identifikimin dhe arrestimin e shtetasit M. Z.
Vepra penale e pornografisë me fëmijë konsiderohet krim dhe dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Policia e Shtetit i bën thirrje prindërve, mësuesve dhe kujdestarëve të jenë vigjilentë ndaj sjelljeve të dyshimta që mund të vihen re në mjediset e të miturve dhe t’i denoncojnë ato pranë institucionit.
Gjithashtu, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike fton qytetarët, prindërit dhe të rinjtë të raportojnë çdo rast të dyshuar të shpërndarjes, prodhimit apo konsumimit të materialeve me përmbajtje pornografike që përfshijnë të mitur, si dhe çdo formë tjetër të abuzimit seksual online.