Zbulohet arsenal armësh dhe drogë në Fier, dy të arrestuar, babë e bir
Një aksion i befasishëm i Policisë në Roskovec, Fier, gjatë pasdites së djeshme ka çuar në arrestimin e dy personave, babë e bir, si rezultat i hetimeve paraprake që zgjatën një muaj.
Në pranga ranë shtetasit Adiol Hada, 34 vjeç, dhe Asqeri Hada, 61 vjeç. Operacioni, i cili vijon ende, u zhvillua si pjesë e një hetimi të strukturuar për të goditur veprimtarinë kriminale në zonë.
Policia e Fierit po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e të gjithë përfshirjes së të arrestuarve.
Njoftimi i policisë:
Fier/ Finalizohet pas një muaji hetime me metoda proaktive operacioni policor i koduar “New Start 2”. Zbulohet një arsenal armësh dhe një sasi droge. Sekuestrohen armë zjarri, granata luftarake, municion luftarak dhe drogë.
Vihet në pranga një shtetas 34-vjeçar që ushtronte veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike. Në pranga edhe babai i tij, pasi në banesë u gjet arsenali i armëve dhe një sasi tjetër e lëndës narkotike.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas një pune hetimore 1-mujore, me mbështetjen e Forcave Operacionale dhe “Shqiponjat”, finalizoi operacionin policor të koduar “New Start 2”. Si rezultat, u vu në pranga shtetasi A. H., 34 vjeç, banues në fshatin Suk, Roskovec.
Bazuar në informacionet e siguruara gjatë hetimit për 34-vjeçarin që shiste drogë dhe posedonte armë zjarri, shërbimet e Policisë, gjatë operacionit, kapën në dalje të fshatit Suk, Roskovec, shtetasin A. H., ku në automjetin e tij gjetën rreth 1 kg lëndë narkotike kanabis sativa, të ndarë në doza gati për shitje.
Në vijim të operacionit, nga kontrolli i banesës dhe i lokalit në pronësi të tij dhe babait të tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur:
- 17.6 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, e përpunuar dhe e ndarë në doza gati për shitje,
- 2 armë zjarri pistoletë,
- 2 armë zjarri automatike,
- 2 granata luftarake,
- 1110 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm,
- 2 aparate celularë dhe
- 1 motomjet, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi edhe i shtetasit A. H., 61 vjeç.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
