Shisnin kokainë në Himarë, arrestohen në flagrancë dy 46-vjeçarët nga Elbasani
Dy persona të moshës 46-vjeçar janë arrestuar në Himarë pasi u kapën duke shitur lëndë narkotike. Të arrestuarit janë identifikuar si E.U dhe S.M, të dy banues në Elbasan.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:
DVP Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Wave”, për goditjen e një rasti të shitjes së lëndëve narkotike. Vihen në pranga dy shtetas që shisnin kokainë në zonën e Himarës.
Sekuestrohen doza me lëndë narkotike kokainë gati për shitje, një peshore elektronike, 3 celularë dhe një shumë parash, dyshohet të jetë përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe kontrollet e vazhdueshme me fokus goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Wave”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:
- E. U., 46 vjeç
- S. M., 46 vjeç, të dy banues në Elbasan.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Fiat”, me të cilin lëviznin këta shtetas, dhe më pas në banesën që kishin në përdorim në fshatin Vuno, Himarë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 46 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë gati për shitje, një peshore elektronike, një shumë parash në euro dhe lekë, si dhe tre aparate celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
